Pas Europës edhe Australia ka vendosur sanksione ndaj lajmit të rremë dhe propagandës ruse.

Australia ka vendosur sanksione ndaj disa personave, të cilët besohet se po përhapin dezinformata dhe propagandë rreth pushtimit rus të Ukrainës, kështu raporton The Sydney Morning Herald, përcjell MekuliPress.

Ministrja e Jashtme Australiane Marise Payne e quan propagandën një “taktikë tinëzare” me efekt të madh gjatë luftës.

“Pushtimi rus i Ukrainës është shoqëruar me një fushatë dezinformimi në shkallë të gjerë, si brenda Rusisë ashtu edhe ndërkombëtarisht”, tha Payne.

Sanksionet e reja prekin dhjetë persona që thuhet se kanë kontribuar në përhapjen e propagandës, precizon artikulli në fjalë.

MekuliPress ka alarmuar se në mediat e Prishtinës dhe të Tiranës ka dekada që lajmi shqip është shoqëruar me propagandë, manipulime, fake news dhe joobjektivitet. As Tirana e as Prishtina nuk kanë organizata, komisione, apo asociacione të pavarura gazetareske që do të monitorizonin objektivisht punën e medias shqipe. Në Kosovë e në Shqipëri kemi organizata të tilla, por brenda këtyre organizatave ka njerëz-udhëheqës që janë të kapur nga oligarkët, janë të finansuar nga burime të panjohura ose bashkëpunojnë ngusht me grupe të ndryshme të interesit.

Është koha e fundit që të krijohet një organ i pavarur shtetëror (joqeveritar) që do të vlerësonte dhe të sanksiononte ato media shqipe (portalet, televizionet, radiot) dhe ‘analistët’, gjithsesi, për shpërndarje të propagandës.

Propaganda po e dëmton rëndë përditshmërinë e qytetarëve, ekonominë dhe politikën humane të shqiptarëve. Duke prodhuar dhe shpërndarë propagandë mediat shqipe dhe ‘analistët’ pronarë të këtyre mediave, po kontribuojnë për gjeopolitikën dhe ekonominë e huaj, e cila në shumë raste është armike ndaj gjeo-politikës shqiptare. Kjo propagandë, dhe luftë speciale e ‘lajmit të tyre’, po e vështirëson edhe jetën e qytetarëve dhe po e dëmton shëndetin psiqik dhe fizik të tyre.