Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të mos e furnizojnë Ukrainën me avionë luftarakë. Vendimi merr parasysh vlerësimet e komunitetit të inteligjencës dhe është njoftuar nga zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, që ka neutralizuar kështu propozimin polak për transferimin e avionëve Mig-29 në Ukrianë.

Shërbimet inteligjente kanë vlerësuër se transferimi i Mig-29 në Ukrainë mund të keqllogaritet si hap përshkallëzues dhe mund të rezultojë në një reagim domethënës të Rusisë që mund të rrisë perspektivën e përshkallëzimit ushtarak me NATO-n. Ndaj ne vlerësojmë po ashtu se transferimi i Mig-29 në Ukrainë është me rrezik, citohet Kirby.

Sipas tij, ShBA do të vazhdojë të çojë në Ukrainë sisteme mbrojtëse ajrore, duke reduktuar kështu profilin e një ushtrise të rregullt në ushtri të guerriljes.

Qëndrimi në fjalë vendos një linjë të qartë të moskonfrontimit me Rusinë ushtarakisht, por edhe kufizimin e angazhimit perëndimor në përmbajtjen e Kremlinit deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Nënvizimi i Kirbyt se dërgimi i avionëve mund të nxisë një reagim domethëns të Rusisë mund të lexohet në shumë kuptime ndër të cilët është edhe mobilizimi për goditje në shkallë të gjerë në Ukrainë dhe ndryshimin e objektivit të Rusisë nga ai aktuali që ka të bëjë me neutralitetin dhe Donbas-Krimenë në një pushtim të plotë dhe kërkesë për ndarje territoriale më të gjerë.

Po kështu zëdhënësi amerikan ka zbuluar se Perëndimi po lexon tek ndërhyrja ruse në Ukrainë një paralajmërim me vlerë frenuese duke kuptuar se Ukraina është kufiri përfundimtar i NATO që ndahet pa luftë të madhe. Është e kuptueshme pra se kompromisi është afër, por atij i mungojnë kushtet për t’u bërë i pranueshëm.

Një ndër paradokset e mëdha të kësaj që po ndodh është fakti se disa Mig-29 konsiderohen të rrezikshëm, kurse sanskionet që po i japin konfliktit karakter ndërkombëtar quhen mjet efikas edhe pse priren të destabilizojnë ekonominë globale.