Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se brenda këtij viti Kosova do të aplikojë për t’u anëtarësuar në BE dhe do ishte e rëndësishme që të përfshihet si në Këshillin e Evropës, ashtu edhe në programin e partneritetit për Paqe të NATO-s.

Kurti ka folur edhe për bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, duke thënë se Serbia gjithmonë ka bërë lojë të dyfishtë me Bashkimin Europian.

“Serbia e ka shantazhuar Brukselin në një kuptim që nëse nuk bëhet si themi ne, atëherë ne mund të shkojmë me Federatën Ruse dhe ndonjëherë edhe me Kinën. Sa për shembull Kosova nuk ka marrë asnjë vaksinë nga Rusia dhe Kina. Ndërsa, Serbia është çdoherë e lidhur me Rusinë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, Putin dëshiron ta zgjerojë luftën dhe Ballkani Perëndimor është rajoni, ku ai do të kërkojë të shkaktojë trazira nëpërmjet lidhjeve dhe personave që janë të raporte me Serbinë.

Në një intervistë për televizionin zviceran Blick, Kurti tha se Kosova i është bashkuar botës demokratike kundër agresionit rus në Ukrainë.

“Atë që shohim sot në Ukrainë, agresionin e një makinerie lufte kundër një populli, e kemi përjetuar 23 vjet më pare. Ne jemi bashkuar perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse në vitin 2014, kur u aneksuan Krimea dhe Donbasku, gjë që Serbia nuk e kishte bërë dhe as tani nuk e ka dënuar apo vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, u shpreh Kurti.