Prishtinë, 24 mars 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te busti i ish Sekretares së Shtetit amerikan, Madeleine Albright, e cila dje ndërroi jetë.

Pas nderimit që i bënë mikes së madhe të popullit të Kosovës, kryeministri Kurti tha se politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur sesa te personaliteti i jashtëzakonshëm i Sekretares Madeleine Albright.

“Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat dhe liritë e qytetarit në republikë, orientimi i saj për demokracinë sociale dhe gjithashtu edhe njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë një personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e te ne në Kosovë po edhe në shumë vende tjera të botës”, tha kryeministri Kurti.

Para mediave, kryeministri Kurti ka potencuar se ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë me bombardimet kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, padyshim që mbanë vulën e zonjës Albright dhe për këtë ne do të jemi përjetë falënderues e mirënjohës.

Prononcimi i kryeministrit Kurti para mediave:

Politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur se sa te personaliteti i jashtëzakonshëm i zonjës Sekretare, Madeleine Albright. Ajo në politikë ishe historiane, në histori ishte diplomate ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh edhe përvojën e saj jetësore si emigrante hebreje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila fëmijërinë e ka kaluar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pastaj është shkolluar në vendin tempull të demokracisë e është bërë Sekretarja e parë e Shtetit amerikan grua, natyrisht që kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullit 20, por edhe atij 21.

Çdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante ishte aq profesionale në secilin prej asaj çfarë bënte e thoshte, sa që nuk mund të quhej profesioniste për shkak të qenies së saj të gjithanshme. Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat dhe liritë e qytetarit në republikë, orientimi i saj për demokracinë sociale dhe gjithashtu edhe njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë një personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e te ne në Kosovë po edhe në shumë vende tjera të botës.

Ndërhyrja NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë me bombardimet kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, pa dyshim që mban vulën e zonjës Albright dhe për këtë ne do të jemi përjetë falënderues e mirënjohës.