Pas ultimatumit të Vladimir Putin se evropianët duhet të paguajnë gazin rus me rubla nëse nuk duan që të ndërpritet furnizimi, duket se problemet e para kanë nisur mëngjesin e së premtes. Gazprom ka ndalur dërgesat e gazit rus në Gjermani përmes tubacionit Yamal-Europe, raporton agjencia Bloomberg, duke cituar operatorin e rrjetit Gascade.

Të premten në mëngjes, dërgesat e gazit nga Polonia në Gjermani zbritën nga 7 GWh/h (gigavat në orë) në 0 gjatë natës. Dërgesa përmes Ukrainës pritet të jetë rreth 107.6 milionë metra kub, pak më e ulët se të enjten.

Megjithatë pjesa tjetër e furnizimeve të Gazprom-it vijojnë rregullisht përmes Ukrainës drejt Evropës. Nuk është hera e parë që ndërpriten flukset përmes Yamal në Evropë. Pasditen e 29 marsit, furnizimet kishin rënë gjithashtu në zero, ndërsa pjesa tjetër e prurjeve përmes dy tubacioneve të larta kishte vazhduar me kapacitet të plotë. Ndërpreje të tjera kanë ndodhur edhe më 3 dhe 15 mars.

Rreth 10% e furnizimeve të gazit rus në Evropë kalon përmes tubacionit Yamal-Europe . Tubacioni fillon nga fushat e gadishullit Yamal, i cili ndodhet në një rajon të Rusisë në Siberinë veriore. Itinerari ka një gjatësi prej rreth 4 mijë kilometrash dhe, pas Rusisë, kalon Bjellorusinë, Poloninë dhe Gjermaninë, ku u ndërtua stacioni Malnov. Kapaciteti i tij vjetor është rreth 33 miliardë metra kub gaz.