Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi dhe i ashtuquajturi drejtor i zyrës së vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pritet të takohen gjatë javës së ardhshme në Bruksel, për të diskutuar rreth arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e targave.

Këtë e ka bërë të ditur vetë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili mes tjerash ka potencuar se pala kosovare ka gatishmëri edhe për takimet e nivelit të lartë politik, mirëpo të njëjtat duhet të jenë të dakorduara paraprakisht, me agjendë të qartë dhe tema përmbajtësore.

“Takimet thirren dhe organizohen nga ndërmjetësuesi i këtij procesi. Ne në vazhdimësi kemi treguar gatishmëri për takime të tilla. Kurse sa i përket takimit në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Petkoviç pritet të takohen gjatë javës tjetër”, ka thënë Kryeziu për Kosova Press.

Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç gjatë takimit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel

Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës me letra ngjitëse të bardha mbulohen simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, duhet të zëvendësohet me një marrëveshje përfundimtare deri më 21 prill.

Marrëveshja në fjalë ishte arritur me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur masa reciproke ndaj Serbisë lidhur me targat dhe kjo rrjedhimisht ishte arsyeja që serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan për dy javë rrugët për në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Samedin Mehmeti dhe Xhelal Sveçla në një konferencë për media

Ndryshe, ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë të jashtëzakonshme, të premten e 15 prillit nuk e kishte mohuar faktin se Policia e Kosovës është e përgatitur për çfarëdo situate në terren në rast se më 21 prill në Bruksel nuk do të arrihet një marrëveshje për çështjen e njohjes reciproke të targave.

“Unë jam optimist se marrëveshja do të arrihet ka një qëndrim shumë konstruktiv edhe të ndërmjetësuesit, por megjithatë për çdo situatë Policia e Kosovës ka plane të saj si të veprojë”, kishte pohuar ai.

Se Policia e Kosovës ka një plan operativ në raste se nuk arrihet një marrëveshje në Bruksel për targat e kishte konfirmuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

“Po, kemi plan operativ për targat edhe do të veprojmë varësisht nga situata dhe varësisht nga ajo që do të paraqitet në terren”, ka thënë Mehmeti.

Burimi:albanianpost.com