Rusia sulmoi Kievin me dy raketa këtë të enjte kur në kryeqytetin ukrainas ndodhej Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres. Analistët e konsideruan këtë një tallje të Moskës me OKB-në.

Dy shpërthime të forta tronditën Kievin pasi Guterres vizitoi vendin e masakrave dhe varrezave masive në periferi të qytetit dhe u takua me presidentin Volodymyr Zelenskiy.

Këshilltari Mykhailo Podolyak shkroi në Twitter: “Kartolinë nga Moska?” Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, i quajti aktet “një sulm për sigurinë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe për sigurinë botërore!”

Një varg vizitash nga liderë të aleatëve perëndimorë dhe zyrtarë të lartë amerikanë kanë qenë në javët e fundit në Kiev. Aty ishin kryeministri britanik Boris Johnson dhe Sekretarët e Shtetit dhe Mbrojtjes të SHBA, Antony Blinken dhe Lloyd Austin, por nuk pati sulme.