Kryeparlamentari Glauk Konjufca është takuar me një delegacion të afaristëve gjermanë ku u ka thënë se roli i Gjermanisë për ekonominë e Kosovës është shumë i madh.

Ai ka thënë se Kosova e sheh Gjermaninë si partner të rëndësishëm, prandaj tha se Kuvendi do të lehtësojë ardhjen e investitorëve të huaj.

“Parlamenti i Kosovës ka rol të rëndësishëm edhe në krijimin e kushteve për investitorët. Ne kemi të ndarë një kategori e cila është e ndarë për investimet strategjike ku drejtpërdrejtë vendosë Kuvendi i Kosovës. Në këtë aspekt konsideroj që për shkak që jemi republikë parlamentare ne do të jemi sa më bashkëpunues me njëri tjetrin që të mundësojmë që ky bashkëpunim të marrë formë konkrete. Edhe me legjislacion mund të kontribuojmë për ta bërë më të lehtë mundësinë e ardhjes së investitorëve. Sepse ne e dimë që investimet në Kosovë janë vitale për ekonominë tonë. Është e domosdoshme që të krijojmë vende pune në Kosovë prandaj ju shohim si partnerë të rëndësishëm”, tha ai.

Konjufca përmendi luftën dhe derën e hapur të Gjermanisë për refugjatët e Kosovës duke e quajtur veten aleat të afërt.

“Më konsideroni si aleatin tuaj më të afërt me shpresën që të ju kemi këtu si në shtëpinë tuaj me shpresën për ta zhvilluar Kosovën. Meqe tash jemi shumë të lidhur edhe si popull edhe me vlera dhe nëse edhe interesat ekonomike i kemi sa më të lidhura do të jemi sa më afër njëri tjetrit”.