Ti me sy e ti pa dritë
Popull ziu, vër pak mend !
Kurrë nuk bëhet më ky vend
Me kopukë e me hajdutë,
Prandaj ikë!, zverkun këput !
Ikë, ikë nga sytë këmbët !,
Ujqit kërcëllojnë dhëmbët,
Po të hanë kockë e lëkurë,
Dritë s’do të shohësh kurrë !
Ikë, ikë! Kapto matanë,
Kapto dete, oqeane,
Kapto male, kapto pyje,
Qielli yt kurrë s’do ketë yje !
I hutuar, i trullosur,
As i gjallë, as i varrosur,
As me sy e as syplasur,
Dritë nuk ke, siç nuk ke pasur !
Ikë, ikë, si frikacak!
Ti i zhdëpur me dajak,
Ti i shtypur i çnderuar,
Merr atë ç’ke merituar !
Ke plot djem, por fërkon qëntë,
Se ke kokë, por nuk ke mënd,
Rend e rend ti prapa dashit,
Pas rrugaçit, pas abrashit !
Rend si qorr ti pas hajdutësh,
Soj e sorollop harbutësh,
Soj e sorollop zagarësh,
Matrapazësh e kurvarësh !
Ti me sy , e ti pa dritë !
Je bërë si lepur në pritë,
Nuk beson tek bijtë e tu,
Që me ty janë gju më gju !
Kërkon burra hane-dane,
Në bixhoze, në mejhane,
Ti zgjedh llapa me gisht prapa,
Kërkon diell dhe kur djeg vapa !
Mblidhe grushtin, jepu dru,
Mos më rri ngrirë si hu!
Shqipërinë ta lanë të parët
Ta kesh ti e jo zagarët !
Drejtësi mos prit nga qielli,
Ndershmëri mos prit nga pushtat,
Ngri rrufetë, ndize qiellin,
Zjarr e flakë mbushi grushtat !
Autor:Tomorr Celibashi