Presidenti i Ukrainës Zelensky ka paralajmëruar se lufta me Rusinë mund të shkaktojë një krizë ushqimore që do të prekë vendet në mbarë botën.

Ukraina mund të humbasë dhjetëra milionë tonë drithë për shkak të bllokadës së Rusisë në portet e saj në Detin e Zi, ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky.

“Rusia nuk i lejon anijet të hyjnë apo të dalin, ajo po kontrollon Detin e Zi. Rusia dëshiron të bllokojë plotësisht ekonominë e vendit tonë”, tha udhëheqësi ukrainas në një intervistë në televizionin australian.

Ukraina dhe Rusia luajnë rol kyç në prodhimin botëror të ushqimit, duke përfaqësuar 53% të tregtisë globale në vaj luledielli dhe fara, dhe 27% në grurë, sipas Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, shqetësimet po rriten, pasi lufta mund të shkaktojë një krizë ushqimore që do të prekë Evropën, Azinë dhe Afrikën.

Javën e kaluar, shefi ekzekutiv i kompanisë norvegjeze Yara, një nga prodhuesit më të mëdhenj të plehrave në botë, paralajmëroi se ndikimi i luftës në Ukrainë do të ishte “dramatik” për sigurinë globale të ushqimeve.