Me gjithë prapashtesën sllave në mbiemër, ngjitja e Dritan Abazoviçit në postin e kryeministrit të Malit të Zi u prit entuziasëm nga shqiptarët.

Ishte fakt se për herë të parë tre shtete të rajonit drejtoheshin nga shqiptarët, një moment i rrallë në histori, që mbyti zërat e atyre që tregonin profilin kozmopolit të Abazoviçit, që nuk kishte asgjë të përbashkët me shfaqjet impulsive të patriotizmit ballkanas.

Vetë Abazoviç në intervistat për mediat shqiptare, e linte mënjanë retorikën nacionaliste, nuk shfaqte ndonjë ndikim nga origjina shqiptare, por fokusohej kryesisht në çështjet ekonomike, ato të sigurisë dhe të infrastrukturës.

Pas zgjedhjes si kryeministër, ai mbajti një qëndrim të qartë pro Ballkanit të Hapur kur mirëpriti idenë e Ramës dhe Vuçiçit për kufinj të hapur në rajon. Me qëndrimin e tij iu kundërvu Milo Gjukanoviçit në lojën e brendshme politike në Malin e Zi, megjithëse ky e mbështeste me votat e partisë së tij në parlament.

Me rreshtimin pro “Ballkanit të Hapur”, Abazoviç u shkeli syrin forcave politike proserbe. Serbia është shkaku që presidenti Gjukanoviç e sheh të rrezikshëm projektin e Ballkanit të Hapur, ndërsa për Abazoviçin hapja e kufijve ndaj Serbisë sillte vetëm prosperitet ekonomik.

Por këtë të premte, Abazoviç ka marrë një vendim të fortë që vulos përkatësinë e tij pro Serbisë në konfliktin e brendshëm politik: firmosja e marrëveshjes mes shtetit malazez me Kishën Serbe.

Debati për këtë çështje ka qenë i hapur prej vitesh. Pozicioni i Kishës Serbe në Malin e Zi është një nga çështjet më të debatuara në vend. Zgjidhja nuk ka ardhur edhe pas përplasjeve të forta që shpesh kanë rrezikuar të provokojnë një luftë civile në Malin e Zi.

Historiku i përplasjes për Kishën Serbe

Mali i Zi u nda nga Serbia pas një referendumi të vitit 2006. Por sërish, shumica e malazezëve i qëndruan ende besnikë Kishës Ortodokse Serbe. Kisha thotë se ligji i qeverisë synon të dobësojë ndikimin e saj dhe një peshkop i saj pak vite më parë, paralajmëroi se kjo mund të shkaktojë “luftë civile”.

Sipas ligjit, institucionet fetare do të duhej të provonin se kishin të drejta mbi pronën e tyre përpara vitit 1918, kur Mali i Zi humbi pavarësinë dhe iu bashkua Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.

Klerikët e Kishës Serbe e panë këtë si një përpjekje për të larguar Malin e Zi nga Serbia dhe për të shtyrë përpara kishën ortodokse malazeze. Prona e prekur përfshin dhjetëra manastire dhe një sipërfaqe të madhe territori, thotë Kisha.

Presidenti Milo Gjukanoviç kishte mbështetur “rinovimin” e kishës së pavarur malazeze ndër vite. Në të shkuarën ka pasur protesta të udhëhequra nga priftërinjtë drejt parlamentit në kryeqytetin Podgoricë, që kanë përfunduar në përplasje me policinë. Ndryshe nga Serbia, Mali i Zi është anëtar i aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s që nga viti 2017.

Sinjalet e Abazoviç në favor të Kishës Ortodokse Serbe

Kryeministri malazes Dritan Abazovic paralajmëroi një javë më parë se qeveria e tij do të nënshkruajë një marrëveshje themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Partitë që mbajnë në këmbë qeverinë e Abazoviç, përfshirë edhe atë të Milo Gjukanoviçit e kritikuan projekt-marrëveshjen, si shumë të favorshme për Kishën dhe paralajmëruan rrëzimin e qeverisë.

Por Abazovic tha se projekt-marrëveshja iu paraqit zyrtarëve të partisë në pushtet përpara se të publikohej dhe ata nuk kishin bërë komente mbi përmbajtjen e saj.

“Përderisa unë jam kryeministër, prioritet do të jenë vetëm interesat shtetërore, jo partiake”, u përgjigj i prerë Abazoviç.

Sipas draftit, Kisha Serbe nuk ka nevojë për lejen e qeverisë për zhvendosjen e trashëgimisë kulturore që zotëron, por duhet t’i bindet Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse që i përkasin Kishës Serbe dhe gjithashtu të fillojë procesin e kthimit të pronave të kishës të shtetëzuara ose të konfiskuara nga autoritetet komuniste pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas draftit, shteti nuk mund të japë leje ndërtimi për kishat ortodokse pa miratimin e Kishës, ndërsa arsimi fetar ortodoks mund të futet në shkollat publike.

Partitë që mbajnë në pushtet Abazoviçini kishin akuzuar prej kohësh Kishën Serbe për promovimin e nacionalizmit serb dhe për minimin e shtetësisë dhe identitetit malazez, por kryeministri shqiptar i ka shpërfillur pretendimet e tyre.

Pretendimet e Kishës Ortodokse Malazeze

Kisha Ortodokse Malazeze më e vogël dhe e panjohur kanonikisht, ka kërkuar të njëjtat të drejta që po i jepen homologes së saj serbe. Pasi kryeministri malazez Dritan Abazovic bëri thirrje të martën për negociata për marrëveshjen me Kishën Ortodokse Malazeze, Mitropoliti Mihailo tha se ajo duhet të trajtohet njësoj si Kisha Ortodokse Serbe.

Kisha Ortodokse Malazeze pretendon të jetë pasardhëse e Kishës Ortodokse autoqefale që u shtyp në vitin 1920 pasi Mali i Zi u bë pjesë e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.

Kisha Ortodokse Serbe është komuniteti më i madh fetar në Mal të Zi, ndërsa kisha ortodokse malazeze mbetet e panjohur nga pjesa tjetër e botës ortodokse.

Vizita e Abazoviç në Beograd

Këtë të premte, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç firmosi marrëveshjen e kërkuar nga serbët për t’i kthyer Kishës Ortodokse Serbe një pozicion të privilegjuar, që e kishte humbur prej vitesh.

Abazoviç deklaroi se kjo marrëveshje u miratua pas më shumë se katër orë diskutimi në qeveri.

Gjithsej votuan 13 ministra, pesë ishin kundër, ndërsa tre ministra nuk morën pjesë në seancë.

Pak ditë më parë, në një vizitë në Beograd, Abazoviç kishte thënë se do t’i bindej interesave të shtetit dhe jo atij të partive politike, duke paralajmëruar votën kundër koalicionit që e zgjodhi kryeministër.

“Kam dëgjuar se jam tradhtar, por nuk kam dëgjuar që neni 5, ose 10, ose 11 janë gabim, që nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Kjo nuk më përket mua” tha Abazoviç, para se të hynte në takim me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe Porfirije.