Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar të plota incizimet nga fillimi i takimit me sekretarin amerikan të shtetit, Anthony Blinken, aty ku është edhe kryeministri Kurti.

Në fillim të takimit, pjesa që s’u dëgjua, është se Sekretari Blinken u dërgon “përshëndetje të ngrohta” nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

“Kosova është partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe siç besoj e dini, është një histori e gjatë dhe e fortë mes nesh, veçanërisht me presidentin Biden, i cili u dërgon përshëndetje të ngrohta. Ne po punojmë bashkë në disa çështje të rëndësishme dhe të ndryshme”, u thotë Blinken, Kurtit e Osmanit.

Ai tha se me Kosovën po punohet në shumë çështje të përbashkëta.

“Po punojmë së bashku për shumë çështje të përbashkëta. Ju falënderoj që keni mirëpritur afganët dhe mbështetjen për Ukrainën në agresionin rus. E çmoj lidershipin tuaj zonja presidente. Nesër do të nënshkruani me MCC-në për të mbështetur energjinë stabile. Është kënaqësi që të t’ju shpreh mirëseardhje”, tha ai.

Ndërkaq, Osmani ia ka kthyer falënderimet Blinkenit duke iu drejtuar me fjalët se “popullin e Kosovës e ka shpëtuar Amerika”.

“Më lejoni të filloj me një falënderim në emër të të gjithë popullit të Kosovës, jetën e të cilëve e ka shpëtuar Amerika. Raporti me SHBA-të është ekzistencial edhe sot e kësaj dite kur jemi shndërruar në demokraci dhe kjo tregon se çka mund të arrijë bota demokratike e udhëhequr nga SHBA. Sot jemi me Ukrainën, populli i Kosovës qëndrojnë me Ukrainën siç e kemi treguar duke miratuar sanksione në ditën e njëjtë që ka miratuar SHBA-të dhe BE-ja”, ka thënë Osmani.

“Është bërë përpjekje që të destabilizohet Ballkani nga Rusia. Ne vazhdojmë të mbesim aleatë me SHBA-të dhe BE-të për të siguruar që këto gjëra të ndalohen në rajon”, tha ajo.

“I mirëpresim për të diskutuar reformat në sundimin e ligjit dhe ju falënderojmë shumë për mbështetjen. Siç e dini, 23 vjet pasi çlirimit, është duke shkuar krah për krah me ushtarët amerikanë. Kosova është realitet i pakthyeshëm në të cilin ju keni ndihmuar që të realizohet”, tha ajo.