Banka e Shqipërisë është aktualisht institucioni më hermetik në vend, ndaj të cilit herët apo vonë, ligjvënësi do të duhet të ndërhyjë për të krijuar mundësinë e një raporti të ri me interesin publik.

Në faqen e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale figurojnë për vitin 2022 pesë vendime që kanë subjekt Bankën e Shqipërisë. Në të gjitha vendimet institucioni i drejtuar nga Gent Sejko refuzon të japë çdo lloj informacioni, duke nisur nga kriteret për reklamim onlinë, e deri te të dhënat për procedurën e selisë së re tek ish-hotel “Dajtit”, për të cilin të krijohet ideja se Sejko e trajton si shtëpinë e vet.

Pesë vendim në të cilat Banka urdhërohet të japë informacion për mënyrën si përdor paratë publike, ku i çon ato dhe si vepron në raport me procedurat e miratuara. Duke u fshehur pas interpretimeve të sajuara, Banka sërish nuk e ka kaluar provën pasi Komisioneri ka urdhëruar hapjen e derës së këtij burgu, teksa thekson se megjithë rëndësinë që i jep vetes, përfaqësuesit e Bankës nuk kanë qenë në gjendje të: “provojnë në asnjë moment, se në cilën pikë të nenit 17 të LDI(ligji për të drejtën e informimit) e mbështet qëndrimin e tij lidhur me mosvënien në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar, pasi është ky nen, i cili parashikon mundësinë e kufizimit të të drejtës për informim, shkaqet dhe arsyet që mund të çojnë një autoritet publik për të kufizuar të drejtën për informim, si dhe rastet përjashtimore nga ky rregullim”.

Në vitin 2021 në faqe figuron vetëm një vendim ndaj Bankës, edhe ai kundër saj, për një kërkesë që kishte të bënte personelin e institucionit, pozicionet dhe pagesën e tyre. Aktualisht personeli shfaqet në faqen e Bankës që duket se ka pranuar të tregojë një pjesë të fytyrës së vet që kurohet me paratë tona.

Në vendimet e vitit 2022, tre janë për hotel “Dajtin”, për të cilën Sejko ka vendosur karantinën, ndonëse së fundmi në media qarkulluan informacione se ai ka pranuar ndryshimin e kompanisë zhvilluese.

Sigurisht që bankat janë institucione ku sekreti është i domosdoshëm, por sekreti është diçka e përkufizuar ligjërisht, jo hapësirë interpretative. Një bankë qendrore nga ana tjetër ka detyrimin të jetë transparente pse ka të drejta rregullatore në një treg nga i cili varet stabiliteti financiar i vendit dhe nuk ka sesi në asnjë mënyrë të veprojë në mënyrë cingune me ligjin, sidomos kur ka një përballje të humbur me një tjetër institucion.

Është e njohur se ka sektorë të jetës publike në Shqipëri që funksionojnë si “fole pëllumbash” për “ajkën” e vendit, fëmijë, gra, kushërinj, soj e sorollop të politikës e mes të cilëve përmendim përveç Bankës, ANTA-n, apo edhe Ministrinë e Jashtme e ndonjë tjetër, anekse të rehatit për familjarë anemikë të një kaste që ka menduar për oaze të tilla. Mirëpo brenda faktit të përjetshëm se në mes tonë do ketë përherë diçka orientale si Banka e z. Sejko, është e udhës që hapja për informim të jetë detyrim, pse për emërimet e miqve dhe shokëve nuk do kemi shumë se çfarë të bëjmë sepse siç e dimë ata janë më të mirët mes tonë. Dhe kjo u duket që në fytyrë, në pamjen me të cilën i ka përshëndetur që në mëngjes Natyra.

s.zaimi