Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka denoncuar se uzina e armëve në Gramsh e cila sot u sulmua nga tre agjentë rusë, ishte lënë në errësirë.

Përmes një statusi në Facebook, Këlliçi thotë se OSHEE i kishte prerë dritat repartit për shkak të detyrimeve të pa shlyera.

Sipas tij, ushtarët në shërbim përdorin dritat e celularëve si ndriçim dhe për të shquar lëvizjet në errësirë.
Gjithashtu, Këlliçi thotë se punonjësit e uzinës kanë 1 vit pa marrë pagat.

Postimi i tij
Ujku mjegull do
Uzina e Armëve në fshatin Çekin në Gramsh është objekt i sigurisë së veçantë, në mbikëqyrje nga Forcat e Armatosura.
Është lënë në errësirë. OSHEE i ka prerë energjinë elektrike, pasi kjo e fundit nuk ka shlyer detyrimet.
Ushtarët gjatë shërbimit në vendroje përdornin dritën e celularit për të shquar lëvizjet në terr.
Punonjësit e uzinës kanë më shumë se 1 vit pa rroga.
Kush synonte të përfitonte nga errësira?
President Begaj ka qenë Shef i Shtabit të FA deri disa javë më parë. A kishte dijeni se ky objekt i rëndësisë së veçantë lihej në terr?
E ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare në mbledhje?
Siguria zero!
Uroj që ushtarët Bici dhe Xhaka ta marrin veten shpejt dhe shpresoj të mos kenë dëmtime të parikuperueshme!