Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se zgjidhja e vetme për daljen nga situata në arsim ku të shumica e shkollave janë në grevë, është kthimi në shkolla i nxënësve dhe mësimdhënësve.

Kurti tha se nuk zhvillohet vendi pa arsimim. Këto komente kryeministri i bëri gjatë vendosjes së gurthemelit të shkollës “Ilir Konushevci” në Podujevë.

“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit dhe nxënësit në shkolla. Nuk zhvillohet vendi pa arsimim”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se si asnjë qeveri më parë, kanë ndërmarrë masa sociale për t’u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve përfshirë edhe mësimdhënësit.

“Ne kemi ndërmarrë si asnjë qeveri më herët masa sociale për përmirësimin e pozitës së gjithë qytetarëve përfshirë edhe mësimdhënësit. Ministrja Nagavci e ka shpjeguar sesi kemi ndarë mjete edhe për mësimdhënësit që kanë sëmundje të rënda, për mësimdhënësit që të mos e humbin vendin e punës dhe tash së fundi edhe pakon për inflacion. Kemi ndihmuar edhe sektorin privat, pjesa më e madhe e klasës punëtore janë në sektorin privat”, tha Kurti.

Kurti shtoi se si Qeveri bëjnë gjithçka që është e mundur në përputhje me buxhetin e shtetit, ku theksoi se për dallim nga qeveritë e kaluara kësaj here buxheti nuk cenohet nga korrupsioni.

I pyetur nga gazetarët për veprimin e fundit të Serbisë që në shkollat e Luginës së Preshevës ku nxënësit janë shqiptarë të intonohet himni serb, Kurti tha se kjo ka të bëjë me dobësimin e Serbisë.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human, sa më e dobët Serbia karshi Kosovës aq më shumë po egërsohet ajo. Agresionin e saj duhet ta kuptojmë përbrenda dobësimit të saj”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se Kosova është vend demokratik që angazhohet për të gjithë qytetarët.

“Ne e dimë që shqiptarët në Luginë janë të diskriminuar, kemi pasivizimin e adresave në Medvegjë. Ne kemi ndihmuar me 2 milionë euro dhe do të vazhdojnë të ndihmohen nga ne. Zullumi këputet prej strashi, andaj ky zullum i Serbisë është duke i ardhur fundi sepse shteti i Kosovës është gjithnjë më demokratik, i fuqishëm dhe më i pavarur”, tha Kurti.