Pavarësisht se SBASHK është i vendosur për bllokimin e mësimit në mënyrën më të palogjikshme, Këshilli i Arsimtarëve dhe Këshilli Grevist i shkollës fillore “Hasan Prishtina”, kanë vendosur të hënën, që t`i hapin dyert për nxënësit, duke nisur nga e marta, por në të njëjtën kohë kanë thënë se e përkrahin grevën.

“Në takimin e sotëm të Këshillit të Arsimtarëve dhe të Këshillit Grevist të Sindikatës së shkollës, pas diskutimeve u vendos që të përkrahet greva deri në realizimin e kërkesave, por edhe në anën tjetër nga nesër, (e martë), të fillojë procesi mësimor me orar të reduktuar të orëve mësimore në 30 minuta”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Mësimdhënësit janë në grevë të detyrueshme nga 25 gushti dhe ndër kërkesat kryesore të kryesisë së sindikatës është kërkesa e 100 eurove?! shtesë në muaj deri në futjen në fuqi të Ligjit për pagat.