William Shakespeare

ANTONI:
O miq, qytetarë, Romanë, më dëgjoni!
Vinj ta varros, jo ta lëvdonj Qesarin
E keqja që ka bërë çdo njeriu i mbetet.
E mira i mbulohet shpesh në varr me koskat.
Ashtu i qoftë dhe Qesarit. Trimi Brut
Ju tha tani, Qesari qe ambicioz.
Në paska qen’ ashtu, qe faj i rëndë shumë
Dhe rëndë shumë e pagoj Qesari.

Këtu, pas lejes Brutit e të tjerëve, –
Se Bruti është burr’ i nderçim,
Të nderçim janë që të gjithë, ay dhe shokët, –
Vinj që të flas në funeralin e Qesarit.
Ish miku im, më qe i drejtë dhe i besës.
Po Bruti thotë, qe ambicioz;
Dhe Bruti është burr’ i nderçim.
Qesari i solli Romës shumë robër lufte
Dhe arkat me shpërblime ia ka mbushur.
Kjo qe ambicia e Qesarit? Si ju duket?
Qesari qante kur thërrisnin të vobektët.
Ambicia duhej t’ish me zemër më të ashpër.
Po Bruti thotë, qe ambicios,
Dhe Bruti është burr’ i nderçim.

E patë që të gjithë se në Luperkalet
Tri her’ i dhashë një kurorë mbretërore
Edhe tri her’ e hodhi poshtë; qe ambicje kjo?
Po Bruti prapë thotë, qe ambicios,
Dhe është, pa dyshim, një burrë i nderçim.
S’dua të kundërshtoj ato që foli Bruti,
Po s’munt t’ju flas përveç ato që di.
Një her’ e deshtë që të gjithë, – jo pa shkak;
Përse tani s’ju vjen asfare keq për të?
Nër egërsirat paske ikur, o gjykim,
Dhe njerëzit e paskan humbur arsyen!
Duroni pak, se e kam zemrën te Qesari,
Aty, dhe pres sa të më kthehet prapë.
E vutë re seç tha? E hodhi tej kurorën;
Ahere pa dyshim nuk ish ambicios.
Gjer djethinaj një fjal’ e Jul Qesarit
I bënte ballë botës; ja tani ku dergjet
Dhe s’ka njeri të vogël mjaft sa ta nderonjë.
O shokë, po të desha, munt t’ju ndisja zemrat
Sa t’ju tërboja e të bënit kryengritje,
Po do ta dëmtoja Brutin dhe Kasin,-
Që janë, siç e dini, njers të nderçim. –
S’dua ta bënj: më mirë i bëj dëm
Të vdekurit e vetes sim’ e juve
Se sa këtyre njerësve të nderçim.

Po ja një pergamenë me vulën e Qesarit!
Ia gjeta në sëndyq; kjo është dhjat’ e tij.
Po ta dëgjoni, qytetarë, këtë dhjatë, –
Që s’kam nër mënt t’jua këndonj, më ndjeni, –
Qesarit vdekur do t’ia puthnit plagët,
Në gjak të tij do ngjyenit shamitë;
Do lypnit për kujtim makar një qime
Dhe kur të vdisnit do t’ua linit djemve
Me testament si trashëgim të pasur.