Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka publikuar rezultatet e votimit lidhur me vazhdimin ose pezullimin e grevës.

Sipas njoftimit, nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të sindikatës, pro pezullimin të grevës janë deklaruar 54.88 për qind, ndërsa kundër janë deklaruar 45.12 për qind.

“Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime të lindjes apo pushime pa pagesë. Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%”, thuhet në komunikatën për media të SBASHK-ut.

“Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës (më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%”.
Këto shënime thuhet se do t’i dorëzohen Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), për t’i bashkëngjitur me rezultatet e deklarime të anëtarësisë së Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK), dhe pastaj do të shpallet vendimi lidhur me grevën.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të SBASHK-ut:
Të nderuara anëtare, të nderuar anëtarë të SBASHK-ut ju drejtohemi sonte duke ju shprehur respektin për qëndrimin dinjitoz gjatë gjithë viteve e dekadave të punës në misionin e shenjtë për edukimin e arsimimin e brezave. Qëndruat dinjitoz e bashkë e në SBASHK edhe gjatë gjithë grevës, që erdhi pa dëshirën tuaj, po për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë ndaj sindikatave dhe mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog e zgjedhje të kërkesave tuaja legjitime. Na fyen e linçuan, por ari nuk përlyhet. Ju ishit dhe mbeteni luftëtarë të dritës kundër errësirës. Të vazhdojmë rrugëtimin Bashkë e në SBASHK.

SBASHK edhe njëherë dëshmoi se vepron duke u bazuar në zërin e anëtarësisë, e jo, siç janë munduar të plasojnë shpifje disa individë a grupacione se vendosin individë të caktuar. Kështu u veprua edhe lidhur me grevën e filluar më 25 gusht.

Këshilli Grevist i SBASHK-ut i është drejtuar anëtarësisë, që nga çerdhet e deri në universitete që të deklarohen se si të veprohet tutje.

Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime tê lindjes apo pushime pa pagesë. Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%.

Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%.

Këto shënime do t’i dorëzohen Këshillit Grevist të BSPK-së për t’i bashkëngjitur me rezultatet e deklarime të anëtarësisë së SPAK dhe pastaj do të shpallet vendimi lidhur me grevën, e cila është shpallur nga BSPK.