“Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë”

Më 3 tetor të vitit 1949, në New York, u nda nga jeta Mid’hat Frashëri, ose siç njihet në letra Lumo Skëndo.
Mid’hat Frashëri është pjesë e panteonit të korifejve të shqiptarizmës. Nga veprat që kam lexuar për nacionalizmin shqiptar, ai është më humanisti.

Abdyl Frashëri, i ati, kur u pyet ndërsa u dënua me vdekje, nëse dëshironte të thoshte diçka, tha:
– “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund. Dhe të sillet kështu siç po sillem unë”.

Si gjithë romantikët dhe humanistët e shekullit të tij dhe ata të shekullit paraardhës, Mid’hati kupton se themeli i një kombi të begatë është morali dhe përfytyrimi i përbashkët për një të ardhme më të mirë.

Në themel të veprës së tij gjejmë përmasën e moralizimit mbi shoqërinë shqiptare që kishte probleme të mprehta politike dhe financiare, si dhe estetizimit të politikës.
Sa i përket mendimit diplomatik të Mid’hatit, gjatë asaj periudhe konkuronin tre projekte ballkanike – pansllavizmi me në krye Beogradin i mbështetur nga sovjetikët; konfederata me në krye Athinën e mbështetur nga britanikët dhe lidhja e ngushtë me Italinë që ishte vetë Fuqi e Madhe, dhe që faktikisht na pushtoi në 7 prill të 1939-ës.

Mid’hati bën një nga përzgjedhjet më interesante. Eleminon pansllavizmin me Beogradin në krye duke parë nga mbrapa edhe linjën sovjektike që e mbështeste.
Italia ishte një vend që kishte ndihmuar jashtëzakonisht shumë në pavarësimin e Shqipërisë dhe kishte ndihmuar në ngritjen e shtetit shqiptar, por aleanca e saj me nazistët e Hitlerit ishte e patolerueshme për Mid’hatin.

Ai bëri përzgjedhjen që të kishte një aleancë me grekët, projekt ballkanik i kahershëm britanik. Fakti interesant në këtë pikë është se Mid’hati, si ish-diplomat në Athinë, e dinte shumë mirë se cilat ishin interesat e fqinjëve ndaj vendit tonë, ndaj ai do të ndërtonte skemën për aleancë me grekët duke i balancuar ata me partneritetin që Shqipëria duhej të kishte me Turqinë.

Ndërkohë, Mid’hati është një nga njohësit më të hollë të shqiptarëve, sepse ai nuk i fshikullon veset e tyre, por, si një prind i mirë dhe i përgjegjshëm përkujdeset me shprit të madh që t’i drejtojë për nga bota e madhe e dijes dhe atdhedashurisë.
Shkruan në një nga veprat e tij “Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.”
Me shumë gjasë, Mid’hati duhet të jetë humanisti i fundit i madh shqiptar. Është mbreslënëse mprehtësia e tij. Në kohën kur të gjithë ishin nën ethet e fashizmës apo komunizmës, ai shihte diçka tjetër – republikanizmin dhe socialdemokracinë.
Mbi figurën e tij është derdhur aq shumë vrer dhe sharje, sa duket sikur po flasim për njeriun më mizor të këtij vendi, jo një nga intelektualët më të spikatur, atdhetarët e flaktë e mendimtarët e rrallë.

Në emigracion, pas vitit ’45, plejada e politikanëve shqiptarë kishin një kundërshtar të përbashkët – komunizmin në Shqipëri. Mbreti Zog, Mid’hat Frashëri dhe gjithë politikanët e lartë u bënë bashkë, lanë pas mëritë, sepse kërcënimi për atdheun ishte pushteti sllavofil në Tiranë. Shqipëria po bëhej gati t’i bashkohej konfederatës sllave. Edhe gjatë luftës, problem që e shpreh vetë diktatori te vepra e tij “Titistët”, nacionalistët bënin propagandë për kombin, komunistët për internacionalen e re.

Kaq i dëmshëm ishte komunizmi për shqiptarët, sa sot i dëgjoni t’ju përçmojnë si i trashë, malok apo i prapambetur po të flasësh për kombin dhe se komunizmi ishte shkatërrimtar. Janë këto snobistët që kanë turp t’ju tregojnë për prejardhjen familjare, se i kanë duart të lyera me gjak shqiptarësh. Snobistë kemi me mijëra, idealistë dhe humanistë aq pak sa numërohen me gishtat e duarve.
Pushteti sllavofil në Tiranë zgjati për 45 vjet. Nga fundi mori një trajtë shumë të çuditshme duke u kthyer në etnokomunizëm. U kthyem në “fanar ndriçues buzë Adriatikut”. Remineshencat e asaj periudhe duken edhe sot, kur na thuhet se shqiptarët do të arrijnë bashkimin midis tyre vetëm në Ballkanin e Hapur apo Bashkimin Evropian.
Kjo është mefshtësi politike e elitës sonë dhe mungesë vizioni e projektesh. Do të vuajmë gjatë prej saj. Shumë gjatë.

Disa shprehje të Mid’hat Frashërit:
1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.
2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.
3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit
4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.
5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.
6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës – të zezë.
7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.
8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.
9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?
10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.
11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”
12 – Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.
13 – Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.
14 – Shpesh herë zemërimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.
15 – Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai qe rrëfehet./Sebastian Zonja/