Gëzim Mekuli, kritik i mediave

Të thella, të fuqishme e tronditëse janë fjalët tona. Tmerrues është teksti shqip.
Tjetërsues, e hiq edukues, është komunikimi ynë kulturor, social e politik. Fjala, gjuha, teksti e fotografia shqipe po i përngjan botës së vjetër; botës së Xhordano Brunos.

Pse e them këtë, të dashur lexues?

Cilët janë përbërësit e gazetarisë dhe akademisë shqipe? Sinqeriteti? Plotnia? Profesionaliteti? Shkenca? Atdhedashuria? Përparimi për të përgjithshmen? Humanizmi?
Heronjtë, ikonat, simbolet, kritikët, akademikët dhe shkrimtarët tanë ku janë e si janë? Si i ka punët ajo intelektualja që nuk i përket e nuk e mbështetë mendimin dominues politik e mediatik? Cilin vend ua ka rezervuar media shqipe shpirtërave të kombit shqiptar?

Ja, po ua them unë.

Këta intelektualë po sulmohen. Këta po përbalten e po shprishen nga fjala, nga fotografia e nga gjuha e gazetarisë shqipe.

Ka më shumë se 20 vjet që shpërtheu liria e fjalës dhe, bashkë me të, fjala e papeshuar dhe e pamenduar mirë. Ka më shumë se 100 vjet që kryeportretet shqiptare, shtyllat e letërsisë, akademisë dhe të historisë, në mënyrë prekëse e të pakuptueshme, u përdhosën, “u pushkatuan” e u ofenduan. Dhe po përdhosen, po pushkatohen e po ofendohen.
Shtroj pyetjen e madhe, përsëri shtroj pyetjen e madhe; A është Gazetaria shqipe inteligjente në ngjarjet e kohës në të cilën po jetojmë?

Nesër, fëmijët tanë, fëmijët e fëmjëve tanë, do na lexojnë e do na gjykojnë. Dhe do të habiten e do të pyesin: Përse ndërmjetësimi, kuvendimi, komunikimi dhe biseda jonë, private e publike, u mbizotërua nga intrigat, nga të pavërtetat, nga prapaskenat, nga mosdija e poshtërimi.

Shpresoja e besoja se shteti, institucioni i shkencës, edukimit dhe arsimit, dhe pashmangshëm media pubike, do të mendoj, do të kundërshtoj, do të organizohet e do t’i dali zot vlerës, humanes e shpirtërave frymëzues të kombit shqiptar.

Të dashur lexues,
Syri, veshi dhe goja e popullit, gazetaria pra, ky institucioni i lajmit dhe informacionit, dhe vet shkollat e gazetarisë, nuk arritën të bëhen arenë ku do të bëhej shkëmbimi i së resë; nuk mundi të bëhej ai teatri madhështorë ku do të ushqehej kritka ndërtuese.

Kjo shkollë, e këta çmësues të gazetarisë, nuk arritën t’a mësojnë gazetarin e gazetaren as se si ndahet komenti nga lajmi dhe si veçohet ‘ndjenja’ prej ‘logjikës’ dhe prej ‘faktit’.

Gazetaria jonë, ky fëmijë i rritur nga prindërit rrugaçë, nuk kishte mundësi ta bënte këtë sepse, ajo u bë bisht i politikave ditore; u shndërrua në bisht të partisë, të fesë e, gjithsesi, në shërbim të grupeve të fuqishme (ekonomike e politike) rajonale e ndërkombëtare.
Paraqitjen, kultivimin dhe mirëtrajtimin e vlerave të botës shqipe, media shqipe nuk e bëri dot. Përkundrazi, kjo gazetari, ky fëmi i rritur nga prindërit rrugaç, i mjegulloi, i deformoj, dhe i degjeneroj këto.

Konsekuent deri në fund: Gazetaria jonë nuk ka çasje të plotë në intelegjencë, ajo po frymëzohet e po ushqehet nga diçka tjetër…!