Si sot, në vitin 1923, 99 vjet më parë, u shpall Republika e Turqisë me presidentin e parë Mustafa Kemal Atatürk (1923-1938), i cili për ta shndërruar Turqinë në një republikë moderne, pezulloi gjykatat e sheriatit dhe u mbyllën medresetë. Më 3 /III/1924 u hoq kalifati, ndërsa më 20/IV/1924 u shpall Kushtetuta, e cila, duke braktisur Perandorinë Osmane, filloi shndërrimin e Turqisë në Republikë Moderne!

Mustafa Kemal Atatürk, president i Turqisë në vitet 1923-1938 kishte prezantuar reformat të cilat ai i konsideronte me rëndësi jetike për shpëtimin dhe mbijetesën e popullit të tij. Këto reforma u mirëpritën me entuziazëm nga populli turk. Së këtejmi, më 25 nëntor 1925 sipas Ligjit të Kapelave fesi dhe turbani shpallën të jashtëligjshme (kapela orientale-arabe te njohura si “turban” ose “fez” [fes]). Po ashtu dekurajohet mbulesa e grave, si dhe inkurajohen veshjet perëndimore për burra dhe gra. Miratohet Kalendari Perëndimor (Gregorian) në vend të kalendarit Osman, si dhe hyri në përdorim alfabeti latin (1928).
Reformat e Atatürk-ut, në kontekstin e drejtave civile për gratë (1926), grave turke, të cilat me shekuj ishin lënë pas dore, iu dhanë të drejta të reja. Kështu me kalimin e kodit civil, gratë turke tani do të kishin të njëjtat të drejta si burrat, mund të emëroheshin në poste zyrtare, do të kishin të drejtën e votës dhe të zgjidheshin në Parlament. Parimi i monogamisë dhe të drejtat e barabarta për gratë ndryshuan frymën e shoqërisë turke.

Burimi: Foto i vitit 1926; Modernization of Turkey under Kemal Ataturk; //www.britannica.com/biography/Kemal-Ataturk.