Lotë mërgimtari
nga Petro Marko
Doli loti që të lozë
nëpër faqet e të mjerit,
ra më posht’ e u fundos
në pellgun e zi të vrerit,
Qau pik’ e lotit, qau,
plot me lot’ e s’u mbajt dot,
syt’ i thau e kur shkau,
ra në rrugë e humbi kot!
Derëzeza ti, o jetë!
Ç’të të qaj? Më ngope shqelme,
etjen ma shuan me helme,
se më ke brënda në rjetë.
Korba ti, o jeta ime!
Ah, seç mban brenda ky bark!
Pëlcet zemëra jetime,
se ligjën ma ngrite çark…
Deri kur i arratisur,
i pastrehë në mërgim,
deri kur, o shpresëngrysur,
do të endesh pa drejtim?
Kthehu, lumëmadh, n’Atdhe,
mba në gji atë flamur
që valon i fsheht’ atje!…
Bëhu burrë! Po deri kur?!
A do kthehem prapë vallë,
n’atë fshat e n’atë vend,
n’ato brigje, n’ato zalle
që shkëlqejnë si argjënd?
A do shtrihem n’ato hije
të dëgjoj o me dëshirë
këngën labe që bie
si thëllëza ndaj të gdhirë?
Ha vajtim, o i helmuar,
ha gëzim, o i gëzuar,
ha përralla, o vjershëtar,
ha litar, o atdhetar. . .
Hani bar për të jetuar.
Hani arkat. . .hiç mos mbeten
mbretër, sa të hani veten!
O ti, sahat’ i Tiranës,
din e ndan tingullin tënd
dit’ e natë pa pushim!
Zëri yt, o shumë i rëndë
oshëtin thell’ në mërgim!
Vetëm, deh, moj or’ e rrallë,
kur do biesh në qet’si?
Kot o mos qëllon ti vallë
bie e s’të dëgjon njeri?
– Doje nder? Ngopu me erë!
As për vete nuk ke vlerë!…
– Mirë më thua, o i shitur,
me erë të lirë jam rritur,
po ç’të bësh se jeta shtrigë
u mbush plot me erë të ligë
që del gjoksit të tradhëtisë…
Po s’ia ndal hovin rinisë!
Zjarr’ i fsheht’ pa flak’ e prush,
kush të ndez e kush të fryn;
kush, o afsh i nxehtë, kush,
të më zgjosh ty të shtyn?
Digju vet’ në zemrën time,
bëje vatrën në mushkri,
se atje rritet jetime
ëndrra që kërkon liri. . .
Athinë, 1934
Shënim: Marrë prej librit: Petro Marko “Poezia shqiptare”, 1974