Studuesi dhe epidemiologu, Taulant Muka tha se plagjiatura është fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë dhe Kosovës, sa i takon sistemit arsimor.

Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Muka u shpreh se Ogerta Manastirliu, Evis Kushi dhe Ulsi Manja, janë tre ministrat e qeverisë shqiptare, të cilët kanë plagjiaturë.

Sipas tij, është një skandal fakti që Ministria e Arsimit drejtohet nga një person me plagjiaturë.

“Kjo është fatkeqësia më e madhe e dy kombeve shqiptare që ekziston në Ballkan. Në Shqipëri kemi emra shumë të njohur të politikës shqiptare që sot janë ministra. Kemi tre ministra në qeverinë Rama, që ne i kemi akuzuar për plagjiaturë, kur kanë marrë numrat e shteteve të tjera, për t’i vënë numrat për qytetet shqiptare. Këta politikanë bëjnë politikat tona sot.

Besoj e dimë të gjithë, është Manastirliu, është ministrja e Arsimit që ne kemi sot dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Pra, të jesh në vitin 2022 dhe Ministria e Arsimit të drejtohet nga një person që ka kopjuar, është një skandal jo kombëtar, por ndërkombëtar,” theksoi ai. /Euronews Albania/