Diplomati amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka ripërsëritur qëndrimin e SHBA-së për situatën në Kosovë, i cili nuk ka ndryshuar. Ai i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë afatin për konvertimin e targave ilegale dhe të nisë urgjentisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat [për qytetarët serbë në veri], që të zgjasë për dhjetë muaj afatin riregjistrimin e makinave dhe që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit”.

I pyetur lidhur me raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas zhvillimeve të fundit, Hovenier theksoi se asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë pavarësisht kush është në pushtet.

Kështu deklaroi më 9 nëntor në një takim me gazetarë ambasadori Hovenier. Këtë thirrje, SHBA-ja e ka ripërsëritur disa herë së fundmi, e sidomos pasi serbët e veriut të Kosovës u larguan nga çdo detyrë që e mbanin në institucionet e shtetit.

Kryeministri Kurti të hënën në një konferencë për media ka shpallur të pavlefshme pyetjet se a po rrezikohen raportet me SHBA-në, pas kërkesave të përsëritura të saj dhe qëndrimit të ndryshëm nga to, të Qeverisë.

Kurti ka thënë se raportet e Kosovës me SHBA-në nuk janë të llojit “gjyshi me nipin”, ndërsa thotë se është në komunikim të rregullt me përfaqësuesit amerikanë.

A po prishemi me Amerikën, a do ta dëgjoni Amerikën. Nuk ndodhin këto gjëra. Nuk kena kështu raporte me SHBA-në sikur gjyshi me nipin. Nuk e di kush po ua lexon këto, se s’besoj që i keni lexu vetë e po mendoni kështu. Asnjë vendim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan. SHBA-në e kemi miq dhe partner. Miq dhe partner, nuk shkruajnë aso komunikata që cituat ju. Kjo mënyrë ëhtë edhe ofendim për Amerikën, ata janë vend demokratik”, tha Kurti.