RRETH SHPIFËSIT BB DHE KORRESPONDENTËVE TË TIJ

Në njërin nga televizionet serbe që njihet sikur “altoparlant” i Vuçiqit “tv happy”, me 15 nëntor 2022, është transmetuar një intervistë e kryetarit të Ligës socialdemokrate të Vojvodinës z. Nenad Çanak. Në një emision që në shikim të parë ka karakter humoristik, provokues dhe sarkastik, por për objektiv kryesor, edhe pse mirë të kamufluar, ka propagandën për nevojat e Vuçiqit.

Gënjeshtari, manipuluesi dhe shpifësi, ndër më të mëdhenj shqiptarë BB, kap një moment kur fjalën serbe “vrbovanje”, qëllimisht e keqinterpreton duke e përkthyer sikur “rekrutim”. Fjala serbe “vrbovanje” nuk përkthehet sikur rekrutim, sepse fjalën “regrutacija” e ka edhe gjuha serbe por ajo nuk përmendet në asnjë moment. Fjala “vrbovanje” do të thotë “tentim për ta bindur dike të bashkëpunoj me juve për ndonjë qëllim të caktuar – zakonisht në kundërshtim me interesin tuaj”. Pra, “vrbovanje”, nuk do të thotë se procedura ka pasur sukses, por që është tentuar! Nëse ky proces ka qenë i suksesshëm, thuhet se personi është rekrutuar. Meqenëse në shqip nuk ekziston fjalë adekuate (ose unë nuk e di?), mund të përkthehet vetëm sikur “tentim për rekrutim”.

Në pyetje të moderatorit: “A është tentuar të rekrutohet Albin Kurti nga Shesheli”, Çanak përgjigjet: “Që Shesheli ka tentuar ta rekrutoj Albin Kurtin është e sigurt, që është shumë e logjikshme, a është agjent serb nuk e di”. Që është e logjikshme, e dinë shumica e të burgosurve politik shqiptarë, që e kanë kaluar këtë proces të “vrbovanje”!

Shpifësi ynë shqipfolës përgjigjen e Çanakut e përkthen sikur “Albin Kurti është rekrutuar nga Vojislav Shesheli”. Sot, i njëjti BB, sikur mundohet të kërkon falje dhe të korrigjohet, por prapë e ka me djallëzi, sepse i shmanget përkthimit të gabuar, por merret me pyetjen, a ishte përgjigja sarkastike apo jo, duke mos e vërë në pyetje saktësinë e përgjigjes. Po ashtu BB e di që, lajmi dhe përgënjeshtrimi i lajmit mund të krahasohen me një thes me pupla të derdhur nga një ndërtesë shumëkatëshe në mes të furtunës dhe pastaj me mbledhjen e këtyre puplave.

Dezinformata e dytë, që u plasua në këtë emision nga moderatori, por siç duket nuk e kapi BB dhe korrespondentët e tij që dinë mirë serbisht, apo ndoshta po e ruajnë për ndonjë rast tjetër është se: “Në vitin 1996 Albin Kurti paska marrë “Çmimin për tolerancë” nga gazeta beogradase “Nasha Borba”! Cila është e vërteta? Jo në vitin 1996, por në vitin 1998, Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës e fiton këtë çmim, ku mes tjerash shkruan: “Të mëdha duken përpjekjet e tyre për të mbetur të qetë, krenar dhe të durueshëm, por të gatshëm, të vendosur dhe të qëndrueshëm në kërkesat e tyre legjitime për të refuzuar diskriminimin e vetës së tyre”. Falënderimi për këtë çmim, në formë të shkruar është dërguar nga Unioni i studentëve, i nënshkruar nga kryetari Bujar Dugolli. Albin Kurti nuk përmendet fare. Të cekim se anëtarët e jurisë për këtë çmim ishin nga: Këshilli i Evropës, Federata evropiane e Helsinkit, Këshillit të Helsinkit për drejtat e njeriut të Serbisë dhe nga redaksia e gazetës “Nasha Borba”.

Edhe më interesant është fakti sesi nuk u transmetua asnjë citat i Çanakut ku ai thotë:
– se, e ashtuquajtura “Serbi” duhet të quhet “Serbia dhe Vojvodina”;
– se, ish Mitropoliti i kishës serbe në Mal të Zi Amfillohije Radoviq ishte kolonel i UDB-së,
– se, Peshkopi i Vojvodinës Irinej Bulloviq është kolonel i UDB-së
– kur ai i drejtohet moderatorit me fjalë “a mund t‘i bashkosh dy fjali pa gënjyer”;
– kur sistemin e Millosheviqit e quan “nacional socialist”, pra sikur sistemin e Hitlerit;
– kur citon këngët që këndohen sot në Serbi me tekstin sikur “Im at është kriminel lufte, askush nuk ka koqe ta dërgoj në gjyq”;
– kur fol për qëllimin e Millosheviqit që serbët e dëbuar nga Kroacia në vitin 1995 t’i transferoj në Kosovë që ta përmirësoj strukturën etnike;
– se fashizmi serb është turpi i fashizmit botëror … e tjera/Ali Sh. Mehmeti/