Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar takimin e së hënës të zhvilluar në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Ish-kryeministri thotë se pavarësisht që Kosova ka të drejt për të zbatuar ligjin, mosdëgjueshmëria e këshillave të amerikanëve na riktheu dialogun teknik në Bruksel.

“Në vend që të dëgjohen këshillat e amerikanëve lidhur me vendimin për targat, negociohet me Serbinë në Bruksel!!! Në vend që t’iu lihet kjo punë në dorë amerikanëve dhe të ndiqen këshillat e tyre për të përmbyllur dialogun, krijohen tensione në teren pavarësisht se Kosova është në të drejtën e saj për të zbatuar ligjshmërinë”.

“Tash duhet të negociohet në Bruksel për të zgjidhur problemet, e jo për të përmbyllur marrëveshjen. Kjo qasje nuk shpie askund”.

Hoti thotë se situata e krijuar aktualisht i përshtatet Serbisë

“Edhe pse Kosova është në të drejtën e saj kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë, kjo qasje na kthen prapa tek dialogu teknik për kthim të serbëve në institucione, tek dialogu për menaxhim të situatave, e jo dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke. Kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo neve”, ka shkruar tutje Hoti.

Ndryshe, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm.

Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.