A është fajtor shqiptari

A është fajtor shqiptari pse në këtë qiell jeton,
nën këtë qiell në trojet e të parëve të vet ?
A është fajtor pse është,
e përkundër të gjithëve qëndron shqiptari,
rob e njeri, që do i vetvetës të jetë ?!

A është fajtor shqiptari, pse si të tjerët don
të jetojë si njeri në të vetat sot e përditë ?
A është fajtor pse, përkundër dhunës – rron e qëndron
nën qiellin e Kosovës loke, në truallin e të parëve të vet!

Shkruar në vitin 1938, Esat Mekuli (Sat Nokshiqi)

Biografia

Esad Mekuli lindi në dhjetor 1916 në Plavë (Mal i Zi). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Pejë. Studimet i vazhdoj në Beograd, Zagreb e Itali. Kreu fakultetin e Veterinarisë ku edhe doktoroi. Nga viti 1949 e derisa u pensionua ishte kryeredaktor i revistës letrare ”Jeta e Re”. Esad Mekuli ishte anëtar dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kosovë.
Me krijimtari poetike filloi të merret qysh në shkollën e mesme. Në fillim shkroi në gjuhën serbokroate, pas luftës botoi shqip në Kosovë e Maqedoni.
Në moshën 40 vjeç ai botoi librin e parë “Për ty” (1955), (i cili ka patur edhe tre ribotime), me vetëm 50 vjersha, i cili shënon jo vetëm një kulm poetik për autorin, por me të ai i bën një vend nderi vetes në poezinë shqipe. Mekuli është gjithashtu autor i disa vëllimeve të tjera poetike, i mjaft përkthimeve nga letërsia jugosllave si dhe përkthime në serbisht të mjaft librave nga letërsia shqiptare.

Në librin e parë e më të spikatur të tij, “Për ty”, mungojnë motivet e përjetshme të poezisë si ai i vdekjes, i dashurisë; ai është poet i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore, poet i problemeve historike dhe shoqërore. E mbase bash për këtë R. qosja thekson se Mekuli edhe pse nuk ka shkruar shumë, “fama e tij mund të matet me famën e Majakovskit, Apolinerit, Lorkës o Eseninit në vendet e tyre” dhe e quan “tribunus plebis” (tribun popullor). Poezia e tij mbart brenda ngjarjet dhe trazimet që kaluan kosovarët në luftën e tyre për ekzistencë në trojet e veta. Ja si gjëmon Esad Mekuli me vargun e tij në poezinë “A asht fajtor shqiptari?”, e shkruan më 1938, kur mësoi për Memorandumin famëkeq të Çubrilloviqit, i cili bënte thirrje për dëbimin e qindra mij shqiptarëve etnikë nga Kosova për në Turqi:
“…A asht fajtor shqiptari pse, si të tjerët, po don të jetojnë si Njeri në të vetat sot e përjetë?
A asht fajtor pse përkundër dhunës qindron .Nën qiellin e Kosovës loke, në trollin e të parëve të vet!”.

Poezitë e veta Mekuli i ndan në tre grupe që i përkasin tri periudhave historike të popullit: të para luftës, të luftës e të mbas luftës. Çdo kohë në poezinë e tij është sintezë e asaj peshe sociale e psikologjike që breznitë i lënë njëra-tjetrës. Pra, poeti është bërë lajmëtar i kohës dhe për nga misioni afrohet shumë me Migjenin. Esad Mekuli dhe Migjeni janë një brez. Të dy studiuan jo për letërsi, por në krijimtari tematikat i kanë shoqërore. Të dy e shikojnë realitetin të vrazhdë e të padurueshëm. Shpresojnë tek e nesërmja dhe shfaqen romantikë. Ata në poezinë e tyre kanë lajtmotiv rininë. Edhe në pikëpamje të stilit Migjeni dhe Esad Mekuli janë të afërt. Ata nuk i kanë limuar sa duhet vargjet e tyre dhe vjersaht mbajnë më tepër material se ç’ mund të durojnë. Në fillim të krijimtarisë së tyre shfaqen romantikë, për t’u paraqitur më vonë analizues të plagëve sociale e morale të shoqërisë. E kështu edhe Mekuli u bë poet i tragjikes historike, i mërgimtarit, i lypësit, i skamnorit, i fshatarit të shfrytëzuar e të rrjepur nga polici, etj. Tematika e tij është tematikë e kthesave të mëdha në jetë. E midis tyre spikat vjersha “Kush i pari bani”, e cila, sipas R. Qoses “…me poemën e Migjenit kushtuar mjerimit janë dy kryevepra të literaturës sociale shqipe”
Esad Mekuli, ky poet që për jetën shqiptare në viset ku jetoi shfaqet si portretist, psikolog, sociolog e mbi të gjitha si humanist i pashoq, vdiq më 6 shkurt 1993 në Prishtinë.