Qeveria e Kosovës është në pritje të vlerësimit nga institucionet e sigurisë në pjesën veriore, për t’i përcaktuar hapat e mëtutjeshëm.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, përcjell Syri.net Kosova

Kryeizu ka shkruar se bandat kriminale nuk do të mund të ndikojnë për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve demokratike.

Postimi i zëdhënësit të Qeverisë:

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë.