Qeveria e Kosovës ka publikuar një pjesë nga fjalimi i kryeministrit Albin Kurti në Akademinë Diplomatike të Vjenës.

Në fjalën e tij, Kurti ka folur për rastin e një peshkatari në lumin Danub në Serbi, i cili rastësisht kishte parë një pjesë të një kamioni duke notuar mbi ujë, ku pasi kishte njoftuar një zhytës, kishin zbuluar se brenda kamionit të zhytur në ujë kishte dhjetëra trupa të vdekur, përfshirë edhe trupi i një vajze 7-vjeçare.

“Në Serbi, në lumin Danub, afër fshatit Tekija, një peshkatar vëren një objekt që noton mbi ujë. Është një copë kamioni. Thërret një zhytës dhe në fund të lumit gjejnë një kamion ngrirës të thertores. Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë të njerëzve fillojnë të bien nga pjesa e pasme e kamionit. Hapin dyert dhe brenda gjejnë 86 trupa, dhe tre koka. Mes tyre është edhe trupi i një vajze të vogël vetëm 7-vjeçare. Ndërsa kontrollonin gjërat e saj, ata gjejnë çantën e saj të shkollës. Brenda çantës është një fletore e UNICEF-it, lapsa me ngjyra dhe një kukull e vogël. Në fletore kishte vizatime të shtëpive dhe luleve.

Ajo u vra në Kosovë, u fut në kamionin ngrirës të thertores dhe u fundos në fund të lumit. Pasi e gjetën, së bashku me trupat e tjerë e ngarkuan në një kamion tjetër. Sot e kësaj dite nuk e dimë se ku i dërguan ata trupa. Ne nuk e dimë emrin e vajzës, si dukej ajo dhe kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se edhe pse e di që 7-vjeçarja nuk do të kthehet më në shtëpinë e saj, gjithmonë do të tregohet historia e saj, teksa institucionet nuk do të ndalen kurrë derisa të dihet fati i saj.

“Ne do ta kujtojmë gjithmonë atë dhe 1133 fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99.

https://fb.watch/i1ggf6mEFI/