Giorgio Agamben
Simbas juristëve arabë veprimet e njerëzve klasifikohen në pesë kategori që ata i rendisin kësisoj: të detyrueshme, të lavdërueshme, të lejueshme, të qortueshme dhe të ndaluara. E kundërta e së detyrueshmes është e ndaluara ndërsa asaj që meriton lavdata i kundërvendoset ajo që duhet qortuar. Por kategoria më e rëndësishme është ajo që pozicionohet në qendër dhe si me thënë përbën boshtin e kandarit ku peshohen veprimet e njerëzve dhe matet përgjegjësia e tyre. (Në gjuhën ligjore arabe përgjegjësia e pesha kanë të njëjtën rrënjë).
Teksa e lavdërueshme është ajo gjë kryerja e të cilës çmohet por moskryerja e të cilës nuk është e ndaluar; dhe e qortueshme është ajo moskryerja e të cilës çmohet por kryerja e së cilës nuk është e ndaluar; e lejueshmja është ajo mbi të cilën ligji s’mund të bëjë gjë tjetër veçse të heshtë, ajo që s’është as e detyrueshme as e ndaluar, as e lavdërueshme as e qortueshme. Ajo i korrespondon gjendjes së qenies në parajsë, ku veprimet njerëzore nuk prodhojnë asnjë lloj përgjegjësie dhe assesi nuk “peshohen” nga kandari i ligjit. Por – dhe kjo është pika kyç – sipas juristëve arabë është mirë që kjo zonë me të cilën ligji s’ka punë të jetë mundësisht sa më e gjerë, sepse drejtësia e një qyteti matet pikërisht prej hapësirës që lihet e lirë prej normave e prej sanksioneve, prej çmimeve e prej gjobave.
Në shoqërinë ku po jetojmë po ndodh pikërisht e kundërta. Zona e së lejueshmes ngushtohet dita-ditës dhe një hipertrofi normative pa precedentë po përpiqet të mos lërë asnjë aspekt të jetës njerëzore jashtë detyrimit dhe ndalimit. Gjeste e sjellje që gjithnjë kanë qenë të konsideruara si indiferente sa i përket ligjit, tash po normohen imtësisht dhe po sanksionohen përpikmërisht, deri në pikën sa thuajse s’ka mbetur asnjë sferë e sjelljeve njerëzore që mund të konsiderohet thjesht e lejueshme. Si fillim për arsye sigurie jo fort të qarta, mandej gjithnjë e në rritje për arsye shëndetësore, e kanë bërë sot të detyrueshme të kesh autorizim edhe për të kryer aktet më të zakonshme e të pafajshme, si psh. të shëtisësh në rrugë, të hysh në lokal publik apo të shkosh në punë.
Një shoqëri e cila e ngushton deri në këtë pikë hapësirën parajsore të sjelljeve të cilat s’ka punë t’i peshojë ligji, është jo thjesht e padrejtë, siç mendonin juristët arabë, por troç shoqëri e pajetueshme ku secili veprim duhet të marrë autorizim burokratik e të sanksionohet juridikisht, teksa shkujdesja e liria e veprimeve dhe ëmbëlsia e marrëdhënieve dhe e formave të jetës, treten derisa të zhduken. Sasia e ligjeve, e dekreteve dhe e rregulloreve është bërë e tillë sa që jo vetëm bëhet e domosdoshme t’u drejtohesh ekspertëve për të ditur se a është i lejuar apo i ndaluar ndonjë veprim, por edhe vetë funksionarët e ngarkuar me zbatimin e normave ngatërrohen e vetëkundërshtohen.
Në një shoqëri të tillë arti i jetës nuk mundet të konsistojë në gjë tjetër përveçse në zvogëlimin sa më shumë të pjesës së detyrueshme dhe asaj të ndaluarës, dhe nga ana tjetër në zgjerimin sa më shumë të zonës së lejuar, zonës së vetme ku nëse jo lumturia, të paktën një lloj kënaqësie bëhet e mundshme. Por pikërisht këtë gjë përpiqen në çdo mënyrë të na e ndalojnë e të na e vështirësojnë të poshtrit e pushtetshëm, duke shumëfishuar norma e rregullore, kontrolle e verifikime. Deri në atë pikën kur makina që kanë ndërtuar të prishë veten e saj e bllokuar prej vetë rregullave dhe vetë dispozitivëve që do të duhej të lejonin funksionimin e saj.
28 nëntor 2022

Përktheu: Arbër Zaimi