Edicioni i lajmeve në RTK nisi shumë ndryshe mbrëmjen e së mërkurës. Një aktivist i PSD u fut në studio sapo nisi edicioni informativ i lajmeve. Personi i identifikuar si Nol Nushi, mbante në duar pankartën: “Radio Televizioni i Kurtit”. Ai ka mundur të futet në ambientet e studios duke u shtirur sikur ishte i ftuar në emision. Protesta e tij vjen pas emërimit të ish-anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rilind Gërvalla si drejtor i Radio Televezionit të Kosovës.

Moderatorja e RTK ka kerkuar ndjesë pas këtij episodi. “Ju kërkoj ndjesë për ato skena që patë pak më përpara kur në mënyrë të paorganizuar dhe të panjohur si nga ana e stafit, si nga ana e redaksisë persona të panjohur hyn brenda përbrenda televizionit publik dhe bënë atë që ju patët mundësi ta shihni pak më përpara”, – tha moderatorja.

Edhe RTK bëri një deklaratë duke dënuar aktin e aktivistit të PSD-së.

“Akte të tilla janë të papranueshme dhe përçojnë mesazh të kundërt me vlerat që prezanton transmetuesi publik. RTK e respekton të drejtën e secilit për të shprehur kundërshti ndaj proceseve, por njëkohësisht kërkon që kjo të bëhet brenda suazave normale të protestës dhe jo të pengoj procesin e rregullt të punës. RTK ka hequr dyert e dyfishta me idenë që të jetë më afër qytetarëve, por jo që kjo të keqpërdoret dhe të pengoj procesin e punës” – thuhet në reagimin e RTK-së.