Çun Lajqi 

Atë sene, bariu rrinte i shtrimë të delet e veta. Tërt veshi si bante për protestat e “patriotëve” t’votave! Njiherë e çoi njenën kambë pak përpjetë e mua me shkoi mendja dallash. Thash ky i përshëndeti me çka pat, – me pordhë!
Unë isha shtri në njenën nga ato gropat që thonë janë istikamet e rugovasëve, e nuk me shihnin ata protestuesit, pleq t’shkretë me shalla, t’mashtruem prej harambashëve partiak!
Dashi me kumonë e qeni bardhoshan erdhën të unë. Unë po flisja me istikamet e harrueme!

E kërkoja ate të Galit e t’Kajës. Burrë e grua ishin. Do t’kenë qenë afër njeni tjetrit! S’do ti kenë nda! S’jan koritë me iu hi ndërmjet! Do ti kenë lanë n’skaj, se mesi i ka takua komandant Çelës! Ndoshta Salihut, se ishte i rryem me luftna e ma i vjetri ndër ta!

-Jo! Gabim e ke i thash vetës. Prit! Je tue pleqnua sipas kajtjes! Dhe u ngatërrova bigari hak me mendët e kresë!

-Nuk je tue ditë kurgja! Kush ishte bajraktari i Rugovës? Kush ishte komandant? – e pyeta istikamin memec!
Qeni i hapi sytë. Dashi u fryni hundëve dhe m’stërpiku me qyrr! Çaaaa-ko-ko-rriiiii ushtuen bjeshkët nga zani i megafonit. Nji erë e madhe u çua e bezin e bardhë me Çaaaa-ko-ko-rriiiin e përplasi atje larg, n’kërrshat e murrëm!

– Kadri Bajri ishte bajraktar! Kadria do t’ketë qenë n’istikamin e mesëm. Ai ishte Komandanti i luftës së Nokshiqit dhe aty do t’jetë shtri me t’gjithë nishanat e Stambollit!

Pastaj u kapa fytas me rradakën time.
– Mirë që paska qenë në mes Kadria, po kush ka qenë djathtas e majtas tij?
Majtas, do t’ketë qenë Rrustem Uka. Po! Rrustemi ishte pika e djalit! Ai do t’ketë qenë ngjitun me Kadrinë!

– N’krahun e djathtë do ti ketë pasë Nure Kurtin e Bali Demën. Murteza Agë Batusha do t’ketë qenë n’skajin tjetër!
Prit ore! Mos bluej ujë n’havan! Ku po e len ti Jakup Ferrin? Ku po ma len Kurt Asllanin? Col Nikën? Halil Sharkinin e Binak Alinë?!
Hej!
Atë verë unë po flisja me secilin tue i kërkua hijet e tyne n’gropat plot bar e lule t’shapueme e dashi me kumonë po ma lëpinte qafën e djersitun. Qeni s’lëvizte nga ballina e istikamit. Aty e kishte shtri qafën!

 

Thua se u kishte vu pritë malazezëve! Sali Jaha i moçnuem i fliste Hysen Bajrit:
– A prehesh ti a prehet Zeku, mos mendo se jataganat janë me pre mish, jo lisa o miralani i Bajrajve.