Kryeministri i pakorruptuar i Republikës së Kosovës, Albin Kurti të premten ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore e dy të rënëve gjatë demonstratës së organizuar më 10 shkurt 2007 nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini.

Kurti pas homazheve tha se në ato demonstrata ku vdiqën Mon Balaj dhe Arben Xheladini u shkrepën 233 plumba nga Policia e UNMIK-ut.

“Me të drejtë e kritikuam dhe kundërshtuam Pakon e Ahtisaarit…Dhjetëra mijëra qytetarë demonstruan para 16 vjetëve e në ballë të tyre ishte baca Adem Demaçi, në moshën 71 vjeçare. 233 plumba u shkrepën në trupat dhe kokat e qytetarëve nga Policia e UNMIK-ut në një situatë ku asgjë nuk shihej prej gazit të shumtë lotsjellës. Arben e Mon Balaj u vranë, kurse 80 demonstrues të tjerë u plagosën rëndë e lehtë. Hysni Hyseni Doda e humbi syrin, Mustafë Nerjova e ka ende një pjesë plastike në kafkën e kokës, kurse Zenel Zeneli e mban plumbin akoma afër zemrës sepse nuk do të arrinte t’i mbijetonte operacionit kirurgjik. Dodaj i Prizrenit ka vdekur para tri vitesh…”, tha ai.

Dhe për këtë rast, Kurti tha se hetimet i kishte bërë ish shefi i shtyllës së parë të UNMIK-u, Robert Dean.

“Ai pati bërë një hetim atë pranverë nga i cili doli konkluzioni se për menaxhimin e asaj demonstrate vrasjet e Monit dhe të Arbenit kanë qenë edhe të panevojshme dhe të evitueshme. Policët e UNMIK-ut shfrytëzuan imunitetin ndërkombëtarë ndërsa sekretari i OKB-së ka ngelur që t’i përgjigjet Ministrisë së Drejtësisë. Një javë para demonstratës sonë u pat publikuar pakoja e Ahtisaarit, ndërkaq, 6 javë pas asaj demonstrate Ahtisari e shtoi rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur si faqe të parë të propozimit të tij”, u shpreh Kurti.

Tutje, Kurti foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke thënë se kjo temë asnjëherë nuk ka qenë më e diskutueshme se tash.

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme nëse ia ka vlejtë komunat mbi baza etnike. Prandaj Beogradi zyrtarë me kaq nervoz kërkon Asociacion të tyre. Si ‘Zajednicë’ komunash patë nisur dhe ‘Republika Srpska’ në Bosnjë dhe Hercegovinë, jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por Serbia”, tha Kurti.

Tutje, ai theksoi se Kosova më shumë ka nevojë për demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë siç tha ai është pluralizmi politikë.

“Te komuniteti serb në Kosovë, njëmend nuk ka pluralizëm politikë. Mirëpo ai po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj Serbia është në panik. Duan që t’i bëjnë bashkë 10 kryetar komunash që i dirigjojnë ata, ta shpallin një president ‘Zajednice’ dhe me atë ta shkelin ministrinë e Qeverisë tonë, nga radhët e komunitetit serbë. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, ka thënë Kurti.