Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Me miratimin e këtij ligji krijohet mekanizmi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa pasur nevojë për një dosje penale që ka përfunduar me një dënim nga gjykata.

Subjekt verifikimi i pasurisë do të jenë të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë nëse ekzistojnë dyshime se ajo pasuri është fituar kundërligjshëm.

Ligji përfshin një shtrirje me të gjerë për shkak se verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, pra personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Autoritet kompetent do të jetë Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gazeta e njohur amerikane, Foreign Policy, miratimin e këtij ligji e ka konsideruar si hap të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin sistematik në Kosovë.

Madje, në shkrimin e kësaj gazete në Twitter, thuhet se Qeveria e Kosovës është model për të gjithë Evropën

“Një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për të luftuar korrupsionin sistematik në Kosovë që prej 23 vitesh. Aktorët politikë janë pasuruar jashtëzakonisht shumë duke varfëruar qytetarët e zakonshëm. Qeveria e Kosovës është model për të gjithë Evropën”, shkruan ky medium në Twitter.

Shënim: Foreign Policy është një botim amerikan lajmesh, i themeluar në vitin 1970 dhe i fokusuar në çështjet globale, ngjarjet aktuale dhe politikat e brendshme dhe ndërkombëtare.