Gëzim Mekuli

Kohëve të fundit ca media u fokusuan rreth fenomenit shqetësues, e gjithnjë në rritje, të quajtur mobbing/shpotitje. Dëgjojmë përditë për fëmijët tanë që vazhdimisht janë duke u ofenduar, nënçmuar, dhunuar, izoluar e shpotitur; psiqikisht dhe fizikisht.

Kjo faqe e zezë e shoqërisë sonë është duke u zhvilluar për vite të tëra. Dhe mësimdhënësit, pra shkolla, si duket, nuk paska qenë dhe nuk janë fare në dijeni për këtë dukuri shkatërruese; prodhim të shoqërisë sonë. Kemi parë e lexuar se si viktimat e shpotitjes, duke qenë të lënduar shpirtërisht e të pashpresë, kanë tentuar të sulmojnë mobuesit/shpotitësit edhe me thikë. Këto episode të mjera e tragjike të bëjnë të mendosh seriozisht se çfarë është duke ndodhë me vlerat etike, morale e edukative të traditës sonë të moçme.

Fjala “Mobbing” është relativisht shprehje e re për hapsirën publike shqiptare, dhe kjo fjalë në fjalorin tonë ështe futur, me sa di unë, dhjetëvjetëshin e fundit. Sipas leksikonit fjala “Mobbing” do të thotë “dhunë grupi”. Pra veprim i një grupi agresiv e sulmues ndaj një personi i cili konsiderohet se nuk i përket shumicës; dhe ky person nuk pranohet nga ky grup apo nga shoqëria. Ato/Ata të cilët shpotisin/mobojnë kanë si qëllim të thejnë e ta lëndojnë viktimën; psiqikisht dhe/ose fizikisht. Pra disa fëmijë dhunojnë dhe trazojnë viktimën, i cili nga këta shpotitës paragjykohet dhe konsiderohet të jetë fëmijë më i dobët dhe më “shkoklan” se sa “të tjerët”.

Janë me qindra arsye se përse shpotitja në shkollat tona po nodhë me të madhe. Një ndër arsyet mund të jetë edhe kjo: Ajo/Ai që është zgjedhur për t’u sulmuar e për t’u viktimizuar “dallohet” dhe “veçohet” nga “shumica e madhe normale dhe e zakonshme e shoqërisë”. Për shembull: nëse viktima ka interesa e hobi “të vecantë”, ka veshje “tjetër”, “familje tjetër”, “grupi tjetër social”, që sipas shpotitësve nuk janë “normale” për gjininë, për rrethin dhe për moshën e tij/saj.

𝗠𝗼𝘁𝗶𝘃𝗲𝘁 𝗺𝗲̈ 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗽𝗲𝘀𝗵𝘁𝗮 𝗽𝗲̈𝗿 𝗯𝗼𝗺𝗯𝗯𝗶𝗻𝗴, 𝗺𝗲̈ 𝗳𝗮𝗹𝗻𝗶 𝗽𝗲̈𝗿 𝗺𝗼𝗯𝗯𝗶𝗻𝗴
Ndoshta një ndër motivet më të shpeshta për mobing janë rrobat (veshja) dhe pamja e jashtme e fëmiut. Për fëmijët në një moshë të caktuar është shumë me rëndësi që të vishen rrobat nga kreatorë të dalluar botëror (medemek “me firmë”). Kjo, veçanërisht, është me rëndësi për nxënësit dhe nxënëset e klasave të 6-ta e deri tek e 10-ta. Në këtë moshë fillon edhe zhvillimi psiko-social i fëmijëve.

Në këtë periudhë, thuaja, të gjithë fëmijët janë të interesuar që të jenë të pranuar, të afërt, të popullarizuar dhe të dashur nga të tjerët; pra nga rrethi dhe shoqëria ku ata kalojnë ditën. Ti takojnë një grupi është me rëndësi të madhe; nëse nuk i ke rrobat “me firmë”, “firmato” (rroba që do të mundësonin e lehtësonon pranimin në shoqëri e në grup), rruga për t’u bërë viktimë e shpotities është shumë e shkurtër.

Ekonomia e varfër e familjes bën që shumica e fëmijëve të mos kenë mundësi të shijojnë e të veshin “rroba me firmë”, të mos pinë pije “moderne”, dhe të pajisen me sjelljet “moderne të kohës”. Andaj këta fëmijë vetveçohen dhe izolohen nga grupi dhe shoqëria. Dhe kjo ikje sociale shkakton dhimbje, ankth, depresione e shqetësim. Arsyeja është e thjeshtë: këta veshin rrobe “të vjetra”, apo edhe pinë pije që nuk janë të kohës, medemek katundare; ja për shembull pija FANTA që konsumohet me shije në perëndim, në Kosovë na lexohet si pije e “katundarëve dhe e të varfërve”!

Shpotitja, jo rallë bëhet edhe për shkak të pamjes së jashtme (edhe pse askush nuk duhet të duket i njëjtë me të tjerët). Disa shpotiten për shkak të ngecjeve psiqike apo ndonjë asimetrie trupore. Shumë nga këto raste do të kishin mundësinë për t’u mënjanuar po që se shkolla jonë dhe prindërit e fëmijëve do të komunikonin më mirë e më sinqerisht me njëri-tjetrin.

Dikush mund të pyet nëse viktima është vetëfajtore për shpotitje: Përgjigja do të ishte, jo. Mëkatar janë shpotitësit. Është vërtetuar shkencëtarisht se, shumica e atyre që shpotisin (mobojnë) janë më të dobëtit. Këta fëmijë shpotisin të tjerët fëmijë për të maskuar dhe fshefur dobësin e tyre. Këta janë të dobët dhe të frigësuar për vehten e tyre për të qenë të mobuar. Po ashtu dihet se shumica e shpotitësve rrjedhin nga familje ku këta fëmijë nuk e kanë mirë. Psh. alkooli në shtëpi, bixhozi, kurvëria e nënës/babait… etj. etj.
Dihet poashtu se vetë shpotitësit kanë përjetuar dhunë fizike dhe verbale gjatë rritës së tyre në familje, dhe se ai/ajo fëmijë nuk është mirëtrajtuar gjatë formimit psiko-social. Nuk është lehtë që të largosh agresivitetin, dhunën, traumat dhe përjetimet që lëndojnë e nënçmojnë. Ndjenjat mbesin përsëri aty, edhe pse ne nuk jemi të vetëdijshëm për këtë. Mobuesit i hedhin ndjenjat e tyre tek tjetri. Prandaj këta shpotitës, viktima të familjes e të shoq¨risë sonë, dalin jashtë në hapsirën publike dhe me “radarin” e tyre të helmuar kërkojnë se kush mund të jetë pranuesi më i lehtë për t’a shpotitur, dhunuar e t’i shkaktoj dhimbje sa më të madhe, si psikologjike e po ashtu edhe fizike.

Si mësimdhënës në shkollën norvegjeze kam kuptuar se janë, zakonisht, një apo dy fëmijë që fillojnë shpotitjen, përderisa të tjerët fëmijë janë pasivë dhe frigohen të ndërhyjnë apo të mbrojnë viktimën. Friga se edhe këta vetë mund të jenë viktima të shpotitjes është e fuqishme në mesin e fëmijëve.

Shpotitja pasive është një formë tjetër e rëndë e shpotijes; sepse kur dikush i kthen shpinën viktimës dhe paraqitet sikurse nuk ka dëgjuar e parë ndonjë gjë, kjo të dhemb shumë, të mërzitë, të fundosë e të rrënon.

Paramendoje fëmiun tënd në këtë situatë e në këtë gjendje, i nderuar lexues! Si do të veproje ti, e nderuara lexuese?