Përdoruesit e platformës “TikTok” kanë nisur një trend të ri i cili është bërë mjaft viral kohët e fundit. Ky trend konsiston në largimin e erës së djersës duke përdorur një larës fytyre. Po, po e lexuat saktë. Po si mund që një pastrues fytyre të jetë më efektiv sesa deodorantët që përdorim në përditshmëri? Sipas video-ve që kemi parë shumë vajza dhe gra ndajnë shqetësimin e erës së djersës e cila u duket e bezdisshme dhe nuk dinë sesi mund ta parandalojnë. Dermatologët shpjegojnë se nuk është djersa dhe sasia e saj që shkaktojnë erë të pakëndshme, por bakteret të cilat rriten dhe zhvillohen në zonën e sqetullës.

Kur ato bien në kontakt të drejtpërdrejtë me djersën nisin të krijojnë një aromë e cila ndryshon në varësi të personit. Kështu, duke përdorur këtë logjikë, shumë vajza menduan se për të eleminuar erën duhet të eleminohen fillimisht bakeret. Produktet që po përdoren më së shumti janë larësit me peroksid benzoili. Këta larës kanë një efekt të jashtëzakonshëm në largimin e akneve të fytyrës dhe trupit me origjinë bakteriale, ndaj dhe njerëzit menduan: “Përse të mos e përdorim edhe për sqetullat?”

Çfarë bën peroksdi i benzoilit?

Peroksidi i benzoilit vepron duke hyrë thellë në pore dhe duke i zhbllokuar ato. Lëkura e sqetullës është zakonisht më e hollë dhe shumë më e ndjeshme se lëkura e fytyrës ose e pjesëve të tjera të trupit, ndaj duket të keni parasysh se ky peroksid është një përbërës aktiv që mund të shkaktojë acarim, kështu që është mirë që ta filloni nga pak. Nëse përdoret siç duhet, ai e bën lëkurën më të lëmuar, ndihmon me njëtrajtësimin e zonave të errëta dhe ndikon pozitivisht në rigjenerimin e qelizave të shëndetshme të lëkurës.

Dermatologët rekomandojnë të filloni me përqendrimin më të ulët të peroksidit të benzoilit i cili zakonisht është 2.5%-5%. Nëse dëshironi të provoni një peroksid me përqindje më të lartë, është e këshillueshme të flisni me një specialist. Ndonëse ky përbërës është i disponueshëm në trajtë larësi, xheli dhe serumi, fillimisht sugjerohet të përdoret vetëm në formë larësi 2-3 herë në javë. Nëse shihni që lëkura reagon mirë mund të nisni me përdorimin e tij 2 herë në ditë në trajtë kremi i shërben edhe për të hidratuar lëkurën.