Ermal Mamaqi njihet nga të gjithë si një sipërmarrës, aktor, producent, këngëtar, komedian dhe trajner motivues. Ai shpeshherë ndan me publikun rreth eksperiencave të cilat e kanë çuar drejt suksesit dhe kësaj here i ftuar në një intervistë për “Galeri”, ai rrëfeu rreth fëmijërisë së tij. Sipërmarrësi shpjegoi se qëllimi i tij ishte të bëhej një artist dhe donte ta kishte vet në dorë të ardhmen dhe rrugën që do të ndiqte në karrierë.

Mamaqi tha: “Shkova në Ekonomik, e bëra testimin, i dija pyetjet dhe e bëra zero, domethënë i bëra gabim. Ngela vetë dhe këtë nuk e dinte asnjë njeri dhe nga ana tjetër, unë përgatitesha për Lice në kanto me hallën time që në atë kohë ka qenë këngëtare e famshme e muzikës klasike në Opera, Fitore Mamaqi. Ndërkohë bëra konkursin në Lice dhe fitova. E vendosa vetë fatin e jetës sime dhe aty filloi sepse e kuptova që unë dua të bëj artistin.”

Kur u pyet rreth fëmijërisë Ermali u shpreh:

“Nuk kam kujtime të mira nga fëmijëria. Ka pasur një dhunë të përgjithshme. Ka qenë si një vello dhune, ku ti keqtrajtoheshe pa problem. Vetëm për faktin që je i vogël, dikush që ishte më i madh të rrihte, domethënë jemi rritur me këto frazat bjeri. Unë mbaj mend që ishte shumë kollaj të të rrihte mësuesja për çfarëdo lloj gjëje. Ka pasur forma të ndryshme torturash, ka qenë një vizore që të gjuanin me vizore…Sigurisht nuk kam qenë nxënësi më i qetë i klasës, por kujtimet e fillores i mbaj mend që kam qenë i trazuar nga kjo pjesa e këtyre mësueseve që të rrihnin. Ka qenë një mësuese që nuk dua t’ja përmend emrin, ka qenë e matematikës, besoj se ka një vend special për të në ferr, po e presin.”