Kadrush Radogoshi
Menjëherë pas përfundimit të takimit të Brukselit, të mbajtur në mes të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Kryetarit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në prezencë të ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian Borell e Llajçak, ende pa u deklaruar kryeministri i Kosovës për rrjedhën e takimit dhe pajtimin e të dy palëve me Deklaratën për të zhdukurit me dhunë, televizionet e Kosovës intervistuan (b)analistë dhe “njohës të kushtetutës”, të cilët, duke u bazuar në burimet serbe dhe përkthimin e tyre eufemistik të togfjalëshit terminologjik të anglishtes “forceably disappeared” si “zhdukje e deryruar”, e shpallën “kapitullimin” e Albin Kurtit se ka hequr dorë nga togfjalëshi terminologjik “të zhdukurit me dhunë apo dhunshëm” dhe ka pranuar një term jozyrtar në të drejtën ndërkombëtare dhe në mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeiut. E vërteta është krejt tjetër: në deklaratën për të zhdukurit me dhunë apo dhunshëm është futur togfjalëshi “forcibly disaeppeared” (të zhdukurit dhunshëm, pra iu adresohet personave të zhdukur dhunshëm), i cili është një variant i togfjalëshit terminologjik “ENFORCED DISAPPEARANCE” (ZHDUKJA E DHUNËSHME, i cili i referohet dukurisë apo fenomenit të zhdukjes me dhunë) i përdorur zyrtarisht nga të gjitha institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe nga organizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të pranuar edhe nga universitetet më të njohura botërore.
(B)analistët dhe “ekspertët” kushtetutarë të intervistuar nga gazetarët e studiove televizive të instrumentalizuara në të gjitha format e mundshme treguan edhe në këtë rast jo vetëm urrejtjen patologjike dhe armiqsinë e hapur ndaj Kryeministrit dhe Kryenegociatorit të Kosovës, por edhe vakumin e madh, që kanë në formimin e tyre intelektual. Nuk disponojnë me njohuritë shkollore në fushën e gjuhësisë. Është një skandal publik trajtimi i sinonimeve si fjalë me kuptime të ndryshme dhe padituria se nuancat kuptimore të fjalëve mund të ndryshojnë varësisht nga konteksti në të cilin janë vendosur.
Për t’i kuptuar përmasat e injorancës së tyre “të shitur” në opinion si “ekspertizë” po iu referohemi burimeve prestigjioze ndërkombëtare për ta shpjeguar shtrirjen e fushës semantike të togfjalëshit terminologjik “ENFORCED DISAPPEARANCE” dhe variantit të tij “FORCIBLY DISAPPEARD të përdorur në Dokumentin për të zhdukurit.
Agjensia ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut AMNESTY INTERNATIONAL (https://www.amnesty.org/…/what…/enforced-disappearances) e shpjegon kuptimin e këtij togfjalëshi terminologjik si vijon:
“Viktimat e zhdukjes me dhunë janë njerëz të zhdukur në kuptimin e plotë të fjalës. Ata zhduken kur zyrtarët shtetërorë (ose dikush që vepron me pëlqimin e shtetit) i rrëmben nga rruga ose nga shtëpitë e tyre dhe më pas e mohojnë atë, ose refuzojnë të thonë se ku janë. Ndonjëherë zhdukjet mund të kryhen nga aktorë të armatosur joshtetërorë (…) dhe gjithmonë sipas ligjit ndërkombëtar janë krime.Këta njerëz shpesh nuk lirohen kurrë dhe fati i tyre mbetet i panjohur. Viktimat shpesh torturohen dhe shumë prej tyre vriten, ose jetojnë në frikë të vazhdueshme se mund të vriten.”
Gjykata ndërkombëtare në adresën e saj (https://trialinternational.org/top…/enforced-disappearance) e shpjegon semantikën e togfjalëshit “Zhdukja e dhunëshme” (Enforced disappearance apo variantit forcibly disappeared). “Siç sugjeron emri, zhdukja e dhunëshme është akti i zhdukjes së dikujt kundër vullnetit të tij, shpesh papritur. Prandaj i referohet arrestimit, ndalimit ose rrëmbimit të një personi, i ndjekur nga një refuzim për të njohur fatin e atij personi. Agjentët e një shteti represiv e kryejnë shpesh këtë krim, i cili, me pandëshkueshmëri të plotë, “heq qafe” njerëzit që i konsideron si “telash”: pa urdhër arresti, pa akuzë, pa ndjekje penale. Jashtë mbrojtjes së ligjit, viktimat e gjejnë veten në një situatë të pambrojtur të plotë dhe janë veçanërisht në rrezik për t’u torturuar ose ekzekutuar pa u ndëshkuar plotësisht.
Zhdukja me forcë është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. E kryer sistematikisht kundër civilëve, konsiderohet si krim kundër njerëzimit. Konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë (2010) i detyron shtetet të luftojnë zhdukjen me forcë në territoret e tyre përkatëse. Në veçanti, ai afirmon të drejtën e individëve për të ditur fatin e të afërmve të tyre të zhdukur dhe për të marrë drejtësi dhe dëmshpërblim.”
Në rezymenë e librit “Missing persons and victims of enforced disappearance in Europe” (Personat që mungojnë dhe të zhdukurit me dhunë në Evropë) (2016), ISBN 214815GBR, të Komisionerit evropian për të drejtat e njeriut, në titullin e të cilit përdoret termi zyrtar “enforced disappearance” (zhdukja me dhunë), apostrofohen detyrimet e shteteve në të cilat ka ndodhur zhdukja e dhunëshme e personave dhe obligimet e shteteve.
“Dhjetëra mijëra persona mbeten të zhdukur ose janë viktima të zhdukjes me dhunë në të gjithë Evropën si rezultat i represionit ose konflikteve të së kaluarës. Kjo situatë ngre pyetje shumë serioze për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit dhe, për rrjedhojë, të gjitha shtetet evropiane të interesuara duhet të ndërmarrin si çështje prioritare kërkimin e personave që mungojnë dhe të zhdukur. Me kalimin e kohës, mijëra evropianë po përpiqen të zbulojnë të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre. Familjet e personave të zhdukur dhe viktimat e drejtpërdrejta të zhdukjes me forcë kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe duhet të marrin mbështetjen, ndihmën dhe dëmshpërblimin e duhur. Ky dokument publik ofron një pasqyrë të situatës në një numër shtetesh anëtare të Këshillit të Evropës. Ai gjithashtu fokusohet në standardet dhe mekanizmat kryesore ndërkombëtare dhe evropiane aktive në këtë fushë dhe thekson praktikën gjyqësore të Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës Ndër-Amerikane të të Drejtave të Njeriut. Një kapitull i kushtohet jurisprudencës kryesore përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke vënë në dukje nevojën për të forcuar ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës nga shtetet përgjegjëse. Përveç kësaj, hidhet dritë mbi praktikat dhe mangësitë e shtetit evropian, si dhe mbi shembujt e praktikave dhe iniciativave të mira të ndërmarra në mbarë botën.
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut propozon një sërë rekomandimesh që mund të ndihmojnë qeveritë të përmirësojnë ligjin dhe praktikën e tyre. Ata fokusohen në: viktimat e drejtpërdrejta dhe familjet e tyre; përmirësimi i proceseve të zhvarrosjes dhe identifikimit; mbështetje për mekanizmat që punojnë për personat (…) e zhdukur me dhunë; trajnimi i zyrtarëve publikë; iniciativat për kërkimin e së vërtetës; qasje në informacion dhe arkiva; forcimi i legjislacionit vendas; hetime efektive dhe çrrënjosje e pandëshkueshmërisë; dhe promovimin dhe zbatimin e standardeve përkatëse ndërkombëtare dhe evropiane.”
Nga rezymea e cituar më lartë kuptojmë se me dakordimin për Deklaratën për të zhdukurit Serbia dhe Kosova kanë marrë obligime për ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-1999 dhe përgjegjësive që kanë. Kur dihet e vërteta për këtë luftë dhe shkaktaren kryesore të saj Serbinë nënkuptohet se pjesa më e madhe e detyrimeve dhe përgjegjësisë i bie Serbisë. Është fakt i pamohueshëm se shumica e të zhdukurve me dhunë janë civilë të pafajshëm shqiptarë, në mesin e të cilëve janë edhe 1400 fëmijë, prandaj deklarata e obligon Serbinë për krimet shtetëror të zhdukjes me dhunë të shqiptarëve.
Duke përfunduar, mund të theksojmë se në këtë shkrim sollëm disa prej fakteve bindëse se togfjalëshi terminologjik “forcibly disappeared” (të zhdukurit dhunshëm) si variant i termit zyrtar “enforced disappearance” (zhdukja e dhunëshme) u keqpërdor me dashakeqësi dhe me injorancë nga mediat e instrumentalizuara shumë keq dhe opozitarët joparimorë të Kosovës, të cilët iu referuan pafytyrësisht përkthimit tendencioz të një burimi serb. Zhgënjyese ishin edhe shpjegimet e disa profesorëve universitarë, të cilët dëshmuan se iu mungon kultura gjuhësore dhe objektiviteti në vlerësimin e ngjarjeve dhe rrjedhave politike në tërësi.
3.5.2023