ARBËR VOKRRI, Zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës është emëruar në këtë pozicion para 6-7 muajve. Në një fjalim që mbajti në një vend të panjohur dhe datë të panjohur, në mesin e disa bashkëmendimtarëve të vet, “shkëlqeu” me disa predikime “brilante” fetare, për të cilat do i merrnin lakmi edhe hoxhallarët me shtatë medrese të përfunduara. Në vend që të merret me detyra të punës për të cilat paguhet nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

 Për çfarë diskursi bëhet fjalë mjaftojnë dy pasazhe nga fjala e tij:

“Mundemi me thonë se jemi me siguri populli i vetëm me një sinjifikancë (karakteristikë v.i.) politike që mundemi me u krenu se jemi produkt i prirjes së islamit me u përhap kah perëndimi; sepse një prej misioneve të islamit është pra, që fjalën e Allahut ta çoj në çdo shtëpi dhe të jetë pishtarë i qytetërimit njerëzor, të jetë busulla morale dhe qytetrimore e krejt njerëzimit. Dhe natyrisht, ky nuk është mision i lehtë, natyrisht që has në pengesa, bohen edhe lufta”

dhe, për të qenë i qartë gjer në fund, vazhdon

“Si qytetarët e vetëdijsum fetarisht, moralisht dhe politikisht duhet ta kuptojmë misionin tonë që është konsolidimi, jo veç i besimit tonë, por edhe i ndikimit tonë, s’pari në rrethin tonë më të afërt, familjet tona, mandej lagjen tonë, rrethin tonë e tutje, sepse kemi potencialin dhe Allahu na ka jep një premtim tu na kujtu se shumë grupe të vogla kanë ngadhënjye mbi grupet e mëdha”

 

Ky fjalim, me zë dhe figurë u publikua nëpër disa faqe të fejsbukut, fillimisht nga autori i panjohur dhe pastaj u shpërnda nga shumë të tjerë. Është evidente se është xhiruar dhe pastaj publikuar nga ndonjë person i pranishëm në atë “ngjarje”, i cili nuk mendon sikur ky ideologu mendjemadh që do islamin ta bëj “pishtarë të qytetërimit njerëzor”. Madje, duke mos përjashtuar as lufta!

 

Reagimet në fejsbuk kanë qenë të menjëhershme. Për çudi, jo nga opozita?! Sikur nuk duan të acarojnë raportet me këtë tip të votuesve. Përkundrazi, reagimet më të zëshme janë duke ardhur nga votuesit, përkrahësit dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!

 

Në ndërkohë, para pak orësh, është aktivizuar edhe një peticion on-line me të cilin kërkohet dorëheqja e Arbër Vokrrit nga pozita në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Tekstin e peticionit, mundësinë për ta nënshkruar dhe fjalën komplete të këtij qeveritari mund ta gjeni në këtë lidhje https://chng.it/55sHxKFf


Fjalimi fetar i deputetit të Republikës së Kosovës është i regjistruar me zë dhe figurë dhe mund të shihet dhe lexohet në këtë lidhje: https://www.facebook.com/GjergjKastrioti/videos/1654198165005456/

Për MekuliPress, Ali Mehmeti