𝑼𝒉! 𝑬𝒖𝒓𝒐𝒑𝒆̈, 𝒕𝒊 𝒌𝒖𝒓𝒗𝒂 𝒆 𝒎𝒐𝒕𝒊𝒕,
𝑸𝒊 𝒊 𝒓𝒂𝒆 𝒎𝒐𝒉𝒊𝒕 𝒃𝒆𝒔𝒆̈𝒔 𝒆 𝒁𝒐𝒕𝒊𝒕,
𝑷𝒐 𝒂 𝒌𝒚 𝒂̂ 𝒔𝒉𝒆̂𝒋𝒊 𝒊 𝒈𝒋𝒚𝒕𝒆𝒕𝒏𝒊́𝒔:
𝑴𝒆 𝒅𝒂́ 𝒕𝒐𝒌𝒆̈𝒏 𝒆 𝑺𝒉𝒒𝒚𝒑𝒏𝒊́𝒔

𝑷𝒆̈𝒓 𝒎𝒆 𝒎𝒃𝒂𝒋𝒕𝒆̈ 𝒌𝒍𝒚𝒔𝒉𝒕 𝒆 𝑹𝒖𝒔𝒊́𝒔?
𝑷𝒐 𝒕𝒊 𝒂 𝒌𝒔𝒉𝒕𝒖̂ 𝒔𝒐𝒅 𝒏𝒂 𝒊 𝒑𝒆𝒓𝒍𝒊𝒈𝒋𝒆
𝑵𝒋𝒂𝒕𝒂 𝒃𝒖𝒓𝒓𝒂 𝒒𝒊 𝒎’ 𝒌𝒕𝒐 𝒃𝒓𝒊𝒈𝒋𝒆
𝑷𝒆̈𝒓 𝒕𝒚́ 𝒗𝒆𝒉𝒕𝒆𝒏 𝒃𝒂̂𝒏𝒆 𝒇𝒍𝒊𝒋𝒆
𝑲𝒖𝒓 𝒕𝒊 𝒉𝒆𝒔𝒉𝒕𝒔𝒉𝒆 𝒑𝒓𝒆𝒋 𝒍𝒊𝒈𝒔𝒉𝒕𝒊𝒋𝒆?

Át Gjergj Fishta, Lahuta e Malcís, Kanga XIII, vargjet 40–49 (Shkoder, 1933).

Gjergj Fishta, (1871-1940) është një krijues madhështor jo vetëm për letërsinë shqipe, por është edhe një personalitet tejet i dalluar për shumë segmente të jetës sonë kombëtare. Nuk është tepruar edhe kur është krahasuar me Homerin, apo Danten, sepse për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, Gjergj Fishta na paraqitet edhe si Homer edhe si Dante, pse jo edhe si Gëte e Shiler.

Nga do të studiohet poezia e tij, arrijmë në përfundim se angazhimi i Fishtës për kombin, kulturën, për shqiptarin e Shqipërinë e kohës ishte preokupim mbi të gjitha preokupimet. Duke qenë krijues me një kredo origjinale, një mendje erudite, një burrë i zakonit, një prift i devotshëm, i cili kishte gjetur strehë në nderin, besën dhe cilësitë morale të jetës tipike, patriarkale shqiptare, Fishta për asnjë moment nuk iu nda fatit të kombit e Atdheut, as atëherë kur e trimëroi dhe e lavdëroi, as atëherë kur e kritikoi dhe e satirizoi. Fishta, Mjeda, Naimi, Çajupi, Asdreni, Migjeni, Noli dhe bashkëkohësit e tij fatin e tyre jetësor e kishin lidhur me fatin e shqiptarit, që po kolovitej në katrahurën e madhe njerëzore, me fatin e Atdheut, të cilin po e kafshonin, po e ndanin dhe po e bënin copë-copë fqinjët grabitqarë me bekimin e Evropës dhe Rusisë.

Edhe pse prift i besimit katolik, edhe pse i orientuar me tërë qenien kah kultura dhe tradita pozitive evropiane, Fishta në krijimtarinë e tij i mbeti besnik zërit të kombit e Atdheut, duke bërë përpjekje për ta mbrojtur nga të gjithë, sepse edhe ishte sulmuar nga të gjithë, nga Turqia që po hiqte shpirt, nga Greqia e cila falë luftës së Ali Pashë Tepelenës, me ndihmën e Evropës kishte shpallur pavarësinë, nga Serbia e cila po dyndej me zjarr e barbari drejt tokave shqiptare, madje edhe nga Bullgaria, Mali i Zi, por edhe Italia përtej detit. Duke parë dhe duke përjetuar thellë në shpirt këtë katrahurë që ishte derdhur mbi shqiptarët, doemos se ai do të protestonte dhe protestën e tij do t i hidhte në ballë Evropës, Moskovit, Stambollit. Duke qenë njohës i thellë i rrethanave politike, diplomatike e shoqërore, Fishta ishte i vetëdijshëm se shtetet e Evropës po e sakrifikonin Shqipërinë, me qëllim për të kënaqur orekset e shteteve sllave dhe me qëllim për ta dënuar një komb të tërë, asokohe kombin me numrin më të madh të banorëve në Ballkan, i cili në përpjekjen e tij për mbijetesë kishte pranuar islamin, por kurrë pushtimin dhe robërinë turke.

Andaj ai kishte derdhur tërë mllefin e pezmin, ku tjetër pos te shkaktari kryesor i katrahurës shqiptare, te Fuqitë e Mëdha të Evropës e botës.

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da token e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

Këto vargje diskrete të zemërimit dhe pezmit, Fishta i kishte deklamuar si shqiptar, si pjesëtar i një kombi që po viktimizohej dhe po sakrifikohej për interesat e sllavëve dhe grekëve të Ballkanit. Zemërimi i Fishtës kishte arritur kulmin kur në vitin 1913, në Konferencën e Londrës, Eduard Grei Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Madhe dhe Kryetar i Konferencës se Ambasadoreve të Fuqive të Mëdha për Ballkanin, kishte pranuar se paqja e lidhur mes Fuqive të Mëdha do të peshonte mbi kurriz të Shqipërisë, dhe përderisa ishte fjala për paqe, do të sakrifikohej Shqipëria, meqë ishte shtet më i dobët dhe pa asnjë aleat të botë. Evropa e asaj kohe përfillte interesat e veta, ashtu sikur po përfillë edhe sot Brukseli zyrtar, duke ia plotësuar Serbisë, “këlyshëve të Rusisë” të gjitha kërkesat, duke krijuar edhe një Republikë të vogël serbe në veri të Kosovës, me qëllim për ta mbajtur peng bashkimin e shqiptarëve, edhe 100 vjet pas Konferencës së Londrës, edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.