Në këto ditë të fytyrave të vrerosura për kombin, kanë nisur të dalin në sipërfaqe minjtë. Ata që nuk para i sheh të prononcohen për “çështje të ditës”, mendimtarë të vetëshpallur, drejtues shoqatash e organizatash gjithfarëshe që ecin para syve të gjithkujt pa folur. Me xhepin plot dhe me detyra të qarta: të mbrohet demokracia nga të marrët.

Kanë nisur të dalin në sipërfaqe minjtë e të flasin se edhe nëse Kurti nuk e ka gabim, Rama e ka shumë mirë. Flasin për aleancën euroatlantike, për sanksionet, bëjnë presion e ngrenë zhurmë se qameti po afron.

Se shqiptarët po humbasin e kështu me radhë. Ka madje nga ata që flasin se kryeministri i Kosovës është viktimë e propagandës ruse në stilin e përpunimit të tij në distancë përmes amplifikimit të dokumenteve apo planeve të caktuara. Dhe nga ky viktimizim qëllon të shpëtojë patjetër një kastë të privilegjuarish ndër vite, qehajatë e ambasadave, kjo për arsye të pakuptueshme. Mos vallë edhe këta, edhe Edi Rama është viktimë e frikës nga Vuçiç, kërcënimeve të tij për luftë? Nuk ka gjasë. Gjasat janë që kjo skotë është thirrur në skenë për të ushtruar një presion të fundit në emër të parave që ka marrë në vite, me gjithfarë marifetesh duke u instaluar në këtë vend si pari dhe si elitë. Lehin sot vetëm për xhepin e vet e asgjë më shumë. Për interesin strikt të tyrin edhe pse siç e di gjithkush një pjesë janë akomoduar ekonomikisht edhe jashtë vendit.