Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kurti, e ka cilësuar agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim, kidnapimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit nga forcat serbe.

Në një reagim në Facebook, Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve. Ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët të dënojnë aktin e Serbisë.

“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.