Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të enjten se policët e kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës duhet të kthehen sa më parë në shtëpi.

Ai ka thënë se janë të fokusuar 100 për qind në lirimin e tyre, ndërsa ka përmendur faktin që KFOR-i ende nuk ka dalë me konkluzione publike lidhur me vendndodhjen e tyre.

“1. Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!

3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre!”, ka shkruar Rama në Twitter.

Tutje, ai ka thënë se nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedent kriminal të arrestuar nga Policia e Kosovës në veri.

4. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!

“5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”, ka përfunduar kryeministri shqiptar.

Ndryshe, një ditë më parë kryeministri Rama ka deklaruar se nuk po heshtë për kidnapimin e policëve kosovarë, por po pret hetimet e KFOR-it.

“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, ka shkruar ai në Twitter.