Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës në Serbi ka nisur inspektimet në zonën ku do të ndërtohet gazsjellësi kryesor me dy drejtime që lidh vendin me Maqedoninë e Veriut.

Sipas dokumentit, gazsjellësi do të jetë i gjatë 146 kilometra. Qëllimi kryesor është ndërtimi i një gazsjellësi kryesor për Serbinë jugore, i cili do të sigurojë ndërlidhje me sistemin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të krijojë kushtet e duhura për gazifikimin e qyteteve dhe komunave në jug të vendit.

Pozicioni i korridorit të gazsjellësit të planifikuar është i tillë që të shmangë kalimin nëpër zona me popullsi të dendur. Pjesa lineare e gazsjellësit kryesor dykahësh MG14 është planifikuar si një sistem me një tub që është tërësisht i instaluar nën tokë.

Një pjesë integrale e gazsjellësit të ardhshëm do të përbëhet nga dy stacione kryesore matëse dhe rregulluese, si dhe 6 stacione blloku dhe objekte e instalime të tjera të nevojshme. Marrëveshja për këtë lidhje me Maqedoninë e Veriut është arritur në vitin 2021.

Në prill të këtij viti, Beogradi konfirmoi se ka filluar përgatitjen e dokumentacionit teknik për ndërtimin e këtij interkonjeksioni. Në këtë mënyrë hapet mundësia e furnizimit me gaz natyror në treg nga burime të tjera furnizimi dhe është realizuar në praktikë ideja e një tregu nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Ndërkohë, në tetor pritet përfundimi i gjithë trasesë së gazsjellësit ndërmjet Serbisë dhe Bullgarisë. Gjatësia totale është 170 kilometra dhe është projektuar për një kapacitet prej 1.8 miliardë metra kub gaz në vit.

Dorina Kurtaj

sq Shqip