Qarkullon në Internet një fjalë e urtë që thotë: “Të debatosh me një idiot është si të përpiqesh të luash shah me një pëllumb – ai i rrëzon gurët, defekon mbi tavolinën e shahut dhe fluturon mbrapsht tek tufa e tij, duke shpallur fitoren.” Është qesharake dhe e zgjuar. Është edhe thellësisht, dëshpërimisht shqetësuese. Edhe pse nuk e themi kurrë, ne të gjithë kemi njerëz në jetën tonë që i mendojmë si paksa të marrë – jo domosdoshmërisht për gjithçka, por me siguri për disa gjëra.

Shumicën e kohës, ne qeshim me këtë gjë. Fundja, marrëzia mund të jetë shumë argëtuese. Kur një shoku im na pyeti në grup para pak kohësh, se cili ishte mbiemri i Hitlerit, ne qeshëm. Kur vëllai im mësoi vetëm muajin e kaluar se drerët janë kafshë të vërteta – ok, kjo është për të qeshur. E qeshura dashamirëse me injorancën e dikujt është pjesë e përditshmërisë.

Por marrëzia ka edhe anën e saj të errët. Për teologun dhe filozofin Dietrich Bonhoeffer, budallai është shpesh më i rrezikshëm se i ligu.

Armiku i brendshëm

Në librat me figura dhe filmat aksion, ne e dimë se kush është i keqi. Ata zakonisht veshin rroba të errëta, vrasin si t’u teket dhe qeshin si të çmendur tek zbatojnë skemat e tyre diabolike. Edhe në jetën reale kemi të këqinj – diktatorët që shkelin të drejtat e njeriut, apo vrasësit serialë dhe kriminelët e dhunshëm. Sado të ligj të jenë këta njerëz, ata nuk janë rreziku më i madh, përderisa janë të njohur. Një herë që diçka është një e keqe e ditur, e mira në botë mund të bashkojë forcat për t’u mbrojtur dhe për ta luftuar. Siç e thotë Bonhoeffer, “ti mund të protestosh kundër të keqes; ajo mund të ekspozohet dhe nëse nevojitet, mund të parandalohet me forcë. E keqja mbart gjithmonë me vete virusin e vetëshkatërrimit”.

Ama budallallëku është një problem krejt tjetër. Ne nuk mund ta luftojmë kaq kollaj, për dy arsye. Së pari, ne jemi kolektivisht shumë më tolerantë ndaj tij. Ndryshe nga e keqja, budallallëku nuk është një ves që shumica prej nesh e marrin seriozisht. Ne nuk i qortojmë të tjerët se janë injorantë. Ne nuk u bërtasim njerëzve që nuk i dinë gjërat.  

Së dyti, budallai është një kundërshtar i pakapshëm. Ai nuk mposhtet nga debati dhe nuk është i hapur ndaj arsyetimit dhe argumentit. Për më tepër, kur budallai është me shpinë pas murit – kur përballet me fakte që nuk mund të përgënjeshtrohen – ai shpërthen dhe sulmon. Ja si e shpreh Bonhoeffer:

“As protestat dhe as përdorimi i forcës nuk mund të arrijnë ndonjë gjë; arsyeja bie në veshë të shurdhër; faktet që bien ndesh me paragjykimin e tij thjesht nuk besohen – në momente të tilla, budallai bëhet madje edhe kritik – dhe kur faktet janë të parefuzueshme, ata thjesht hidhen poshtë si të parëndësishme, si aksidentale. Në gjithë këtë situatë budallai, ndryshe nga i ligu, është tërësisht i vetëkënaqur dhe duke qenë se mund të irritohet kollaj, bëhet i rrezikshëm duke u hedhur në sulm”.

Budallallëku i madh vjen me pushtetin e madh

Budallallëku, ashtu si e keqja, nuk është kërcënim për sa kohë që nuk ka pushtet. Ne qeshim me gjërat kur ato janë të padëmshme – siç është injoranca e vëllait tim për drerët. Kjo nuk do të më shkaktojë ndonjë dhimbje. Prandaj është për të qeshur.

Por problemi me budallallëkun, është se ai shpesh ecën dorë për dore me pushtetin. Bonhoeffer shkruan: “Kur e shikon me kujdes, bëhet e qartë se çdo ngritje e fortë në pushtet në sferën publike, qoftë e natyrës politike apo fetare, infekton një pjesë të madhe të njerëzimit me budallallëk.”

Kjo ndodh në dy drejtime. I pari është është që budallallëku nuk të pengon të mbash poste apo autoritet. Historia dhe politika janë të mbushura me shembuj budallenjsh që janë ngritur në majë (ku të mençurit përjashtohen ose vriten). Së dyti, natyra e pushtetit kërkon që njerëzit të heqin dorë nga disa aftësi të nevojshme për të menduarit në mënyrë inteligjente – si pavarësia, mendimi kritik dhe reflektimi.

Argumenti i Bonhoeffer është se sa më shumë dikush bëhet pjesë e establishment-it, aq më pak individ është ai. Një person karizmatik, emocionues, plot inteligjencë dhe me prirje për politika të arsyeshme, bëhet imbecil në momentin që merr detyrën. Është sikur ta kenë shtënë në dorë “parullat, fjalët kyçe e të tjera si këto… Ai është si nën një efekt magjie, i verbuar, i keqpërdorur dhe i keqtrajtuar në vetë qenien e tij.”

Pushteti i kthen njerëzit në automatë. Njerëz që dikur ishin inteligjentë dhe me mendim kritik, tani kanë një skenar për të lexuar. Ata do të vënë në punë buzëqeshjen në vend të trurit. Kur njerëzit bashkohen me një parti politike, duket sikur shumica zgjedhin të ndjekin shembullin, në vend që t’i mendojnë gjërat mirë. Pushteti e largon inteligjencën nga një person, duke e lënë si një manekin të animuar.

Teoria e budallallëkut

Argumenti i Bonhoeffer-it, pra, është se budallallëku duhet parë si më i keq, se sa e keqja. Budallallëku ka një potencial shumë më të madh për të dëmtuar jetën tonë. Më shumë dëm bëhet nga një idiot me pushtet, sesa një bandë makiavelistësh. Ne e dallojmë të keqen dhe mund t’ia mohojmë asaj pushtetin. Me të korruptuarit, shtypësit dhe sadistët, ne e dimë se ku jemi. Dimë si të mbajmë qëndrim.

Por budallallëku është shumë më i vështirë të eliminohet. Kjo është arsyeja pse ai është armë e rrezikshme: Për shkak se njerëzit e këqij e kanë të vështirë të marrin pushtetin, ata kanë nevojë për budallenj që të bëjnë punën e tyre. Ashtu si delet në fushë, një budalla mund të udhëhiqet, drejtohet dhe manipulohet për të bërë shumë gjëra. E keqja është një zot kukullash dhe ajo nuk do asgjë më shumë, se sa kukullat që nuk mendojnë, të cilat e bëjnë të mundur – qofshin në publikun e gjerë, qofshin brenda korridoreve të pushtetit.

Mësimi nga Bonhoeffer është që mund të qeshim me ato momente të çuditshme, budallaqe kur jemi në shoqëri të ngushtë. Por, duhet të zemërohemi dhe të frikësohemi kur budallallëku sundon. / Big Think – Bota.al