Izraeli po bie në grackë, shkruan gazetari Tomas Fridman

Një nga zërat më interesantë sa i përket zhvillimeve në Lindjen e Mesme, i matur dhe guximtar, që e ka ndjekur konfliktin Izrael – Palestinë prej 50 vjetësh, është gazetari fitues i shumë çmimeve prestigjoze, Tomas Fridman.
“Amerika nuk mund ta mbrojë Izraelin në afatgjatë nga kërcënimet reale me të cilat përballet, nëse Izraeli nuk ka një qeveri që pasqyron më të mirën, jo më të keqen, e shoqërisë së tij, dhe nëse kjo qeveri nuk është e përgatitur të ndërmarrë kompromise me më të mirën, jo pjesën më të keqe të shoqërisë palestineze”, shkruan fituesi i Pulicerit.

Së fundmi, ndërsa lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në ditën e shtatë, Izraeli ka urdhëruar zbrazjen e Gazës dhe organizatat ndërkombëtare kanë dënuar bombardimin e Rripit të vogël me fosfor të bardhë, gazetari amerikan shkruan këto radhë:
Nëse Izraeli kryen masakër në Gaza, bën pikërisht atë që armiqtë e tij më të këqinj, Hamasi dhe Irani, presin dhe dëshirojnë. Në mënyrë të pashmangshme do të jetë masakër ndaj fëmijëve, sepse në Rripin e Gazës më shumë se gjysma e popullsisë është nën 18 vjeç. Aty ka më shumë se një million fëmijë dhe ndërhyrja masive në Gaza do të thotë të godasësh civilët dhe masivisht fëmijët. Nëse Izraeli bën këtë zgjedhje do të jetë autogol moral. Izraeli po bie në grackë, shkruan gazetari Tomas Fridman.
Thelbi i mesazhit të Hamasit, sipas tij, për Netanjahun dhe koalicionin e tij qeverisës të ekstremit të djathtë, të përbërë nga supremacistë hebrenj dhe ultra-ortodoksë është se ju nuk do të jeni kurrë në shtëpinë tuaj, pavarësisht se sa tokë do ju shesin vëllezërit tanë arabë nga Gjiri. Ne do t’ju detyrojmë të humbni mendjen dhe të bëni gjëra të çmendura në Gaza që do t’i detyrojnë shtetet arabe t’ju shmangin, shkruan Fridman.

Një pasazh interesant që ai shkruan është sa i përket prapaskenës politike:
Më 3 tetor, disa ministra të qeverisë izraelite shkuan në Riad, Arabi Saudite, në vizitën e tyre të parë zyrtare. Për hebrenjtë izraelitë kjo tregon se ata, më në fund, janë pranuar në Lindjen e Mesme. Të jesh në gjendje të lutesh me një Torah në Arabinë Saudite, vendlindja e Islamit dhe shtëpia e dy qyteteve të tij më të shenjta, Mekës dhe Medinës, prek shpirtin e çdo hebreu izraelit. Por, për palestinezët e lidhur me lëvizjet islamiste kjo nënkupton fundin e kauzës së tyre, që edhe shteti arab më me ndikim – epiqendra e islamit sunit, vendi që ruan vendet e shenjta… po normalizon marrëdhëniet me armikun e përjetshëm sionist.
Ai e përqas ndërhyrjen ushtarake në Gaza me pushtimin amerikan të Irakut:
“Armiqtë më të këqinj të Izraelit – Hamasi dhe Irani – duan që Izraeli të hyjë në Gaza dhe të përfshihet në një pushtim strategjik që do t’i bënte luftimet në Falluxha të ngjanin si festë datëlindjeje. Po flasim për luftime shtëpi më shtëpi, që do të minonte çfarëdo simpatie që Izraeli ka arritur në skenën botërore”.