“Nëse thërret me zë të lartë dikë nga Turqia, mund të dëgjohesh në Kos. Nuk është e drejtë që dy vende, kaq të afërta dhe kaq të lidhura ngushtë, të vazhdojnë përpara me zëra që ushqejnë armiqësi”.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, thotë se Greqia është pjesë e qasjes së re të Ankarasë “më shumë miq dhe më pak armiq“.

Pak ditë para vizitës në Athinë për takimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Greqi-Turqi, Erdogan tha se ndërsa ka çështje serioze që kërkojnë kohë për t’u zgjidhur, “ka edhe çështje që ne mund t’i trajtojmë menjëherë, duke zgjeruar bazën e bashkëpunimit. Qasja jonë ndaj politikës së jashtme nuk është një lojë me totalin zero. Ne do t’i qasemi Athinës me një mentalitet të favorshëm.”

Erdogan akuzoi Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të krijojnë tension mes Turqisë dhe Greqisë.

“Kush është përgjegjës? Disa, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, nuk na japin F-16, pavarësisht pagesës, ndërsa njëkohësisht dërgojnë F-16 dhe municione në Greqi”.