Me gjuhën mbahet gjallë kombi

Një nga tiparet që përbën kombin, ajo që i bashkon njerëzit në një tërësi të vetme kombëtare dhe që i dallon ata nga tërësitë e tjera kombëtare është gjuha. Çdo komb ka gjuhën e vet.

Nëpërmjet saj ai merr ndërgjegje për vetveten. Sa kohë që një komb ruan gjuhën, ai i ka të gjitha mundësitë të mbahet gjallë dhe t’u qëndroj rrebesheve që mund ta kërcënojnë.

Rëndësia e madhe që merrte gjuha për fatet e kombit e kishte nxjerrë atë në plan të parë, e kishte vënë në qendër të agjitacionit politik dhe të veprimit revolucionar të të gjithë lëvizjes patriotike çlirimtare shqiptare të shekullit XIX.

Rreth gjuhës së shkruar shqipe dhe përhapjes së saj ishin zhvilluar dhe zhvilloheshin beteja të ashpra, të cilat nuk kufizoheshin në planin kulturor, gjuha si mjet kulture dhe arsimi, por kalonin menjëherë dhe vazhdimisht në planin politik, gjuha si mjet i afirmimit të kombit shqiptar.

Nëpërmes, betejash të vërteta politike, nëpërmes pengesash, vështirësish dhe ndjenjash të çdo lloji të nxjera nga pushtuesit osmanë dhe shovenistët fqinjë, rilindasit shqiptarë e kishin mbrojtur çështjen e gjuhës shqipe dhe e kishin çuar përpara në shumë drejtime: në përgatitjen e alfabetit, në hartimin e abetareve dhe gramatikave, në keizimin e revistave dhe gazetave, në çeljen e shkollave në gjuhën shqipe.

Nëpërmjet punës së palodhur, nëpërmjet talentit dhe guximit të pashoq të brezave të tërë të rilindasëve, të Naum Veqilharxhit, Zef Jubanit, Pashko Vasës, Jani Vretos, Naim Frashërit, Pandeli Sotirit, Koto Hoxhit, Petro Luarasit, Kristo Negovanit gjuha shqipe njihte një jetë të re, një lulëzim të panjohur më parë.

Por ai që ngrihet mbi të gjitha këta emra, ai që me erudicionin e tij, me energjinë e tij, me patriotizmin e ti ka sunduar gjithë lëvizjen politike për shkrimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e saj është Sami Frashëri.

Ai organizoi dhe udhëhoqi ,, Shoqërinë e Stambollit për shkrimin e shkronjëzave shqipe”, ai përgatiti dhe botoi abetaren dhe gramatikën shqip më të mirë të kohës, ai u bë iniciatori dhe frymëzuesi i botimit të librave dhe të revistave në gjuhën shqipe, ai ishte në themel të organizimit të shkollës së parë shqipe.

Gjuha shqipe i detyrohet shumë Sami Frashërit si një lëvrues dhe propagandist i palodhur. Vepra ,,Shqipëria ç’ka qënë…” e botuar në vitet e fundit të jetës është një vazhdim dhe një kurorëzim i luftës së gjatë, të pandërprerë asnjëherë, që kishte zhvilluar Samiu për gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare shqiptare.

Samiu, qysh në faqet e para të librit, e thekson dhe pastaj e përsërit në faqe të tëra si një aksiomë të të gjithë lëvizjes çlirimtare kombëtare se pa gjuhë s’ka komb, pa gjuhë shqipe s’ka Shqipëri, se me të lidhet jeta apo shuarja e kombit shqiptar. ,,Shënja e kombësisë, -shkruan Samiu, -është gjuha, çdo komb mbahet me gjuhët”, dhe në një faqe tjetër: ,,S’mund të ketë Shqipëri pa shqipëtarë, s’mund të ketë shqipëtar pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla…”.

Fushën e lavrimit dhe të përhapjes së gjuhës shqipe ai e shihte si një nga fushat kryesore ku lëvizja çlirimtare shqiptare duhet të tregonte të gjithë gjallërinë e saj dhe t’u shkaktonte disfatën e armiqve të saj”. ,,Mrodhësi e shkronjave shqip, -shkruan Samiu, -është vdekje për armikët e kombësisë sonë”.

Në luftën për afirmimin dhe lartësimin e gjuhës shqipe Samiu vë në dukje se ajo është një gjuhë e lashtë, një gjuhë që zë fill në thellësinë e shekujve dhe që, për këtë, mund të krahasohet me gjuhë të tilla të lashta si greqishtja dhe latinishtja.

Në këtë plan arsyetimi Samiu thekson se gjuhën e tij të lashtë populli shqiptar e ka ruajtur dhe e ka nxjerrë të paprekur nëpërmes peripecive dhe rreziqeve të panumërta që i rezervoi atij historia. Në lashtësinë e saj Samiu shihte një titull krenarie për gjuhën shqipe.

Në ruajtjen e saj të paprekur gjatë tallazeve të shekujve ai shihte një shenjë vitaliteti të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar që e fliste. Samiu shkruan plot bindje se ,, shqiptarët flasin një nga më të vjetërat e më të bukurat gjuhë të dheut”, se ,,shqipja gjuha jonë… është e gjallë e flitetë edhe sot si në kohët e pellazgve”.


Autorët, që kanë redaktuar botimin e vitit 1962 të veprës së Samiut, vërejnë se ,,ky pohim i Sami Frashërit është i tepëruar, mbasi me kalimin e kohës gjuhët zhvillohen….

Nuk mund të thuhet se shqipja flitet sot si në kohën e ilirëve dhe, më pak akoma si në kohën e pellazgëve. Po të merret pohimi i Samiut në kuptimin literal vërejtja është me vend, por po të merret ai si një theksim i lashtësisë së gjuhës shqipe, i vitalitetit të saj, e vërteta është në anën e Samiut.

Zmadhimi, hiperbolizimi është një metodë gjerësisht e përdorur nga shkrimtarët apo propagandistët për të vënë në dukje që është karakteristike për një fenomen apo për një situatë të dhënë. Këtë bën dhe Samiu për të treguar më mirë lashtësinë e gjuhës shqipe.

Nga ana tjetër, s’a sesi të dyshohet që Samiu nuk e njihte evolucionin e gjuhëve, kur dihet se ai në studimin e tij ,,Gjuha-lindja, zhvillimi dhe dekadenca e saj” dhe në studime të tjera është mbrojtës i parimit evolucionist të gjuhëve dhe me këtë parim është munduar të shpjegojë shumë probleme të gjuhësisë. ,,Gjuhët , -shpjegon aty Samiu-kanë jetën e tyre. Dhe gjuha, ashtu si njeriu, lind , jeton e vdes”.

Këtë parim ai e shpall më tej akoma më qartë”…bile gjuha ndryshon aq shumë gjatë shekujve sa na bëhet të mos e njohim”.

Gjuha shqipe, megjithëse e lashtë, në atë kohë ishte e pashkruar dhe e palëvruar sa duhet. Në këtë Samiu me të drejtë shihte rrezikun më të madh për gjuhën shqipe dhe për popullin shqiptar.

Gjuha mbahet me shkronja , shpjegon Samiu, dhe arrin në përfundimin se ,,një gjuhë e pashkruar s’mund të qëndrojë shumë kohë e paprishurë “. Ai u kujton shqiptarëve se ato kushte historike, që u lejuan atyre të ruanin gjuhën gjatë shekujve, janë duke u zhdukur.

Me zhvillimin e kapitalizmit populli ynë s’do të duhet të dilte nga izolimi mesjetar dhe të hynte në kontakt me popujt e tjerë dhe vështirë se gjuha e tij, duke mbetur e pashkruar dhe duke mos u bërë vegël e diturisë dhe e shkencës, do të mund t’i bënte ballë presionit të gjuhëve të tjera.

Për më tepër, rreziku i humbjes së gjuhës shqipe nuk ishte një rrezik i mundshëm, por një rrezik real, një e keqe e ditës.

Nuk ishte e fshehtë për asnjeri, aq më pak për Samiun, se shovenistët , të parën e punës kanë të na bëjnë të harrojmë gjuhën tonë, të mësojmë të tyrenë’.

Shovenistët grekë, paralajmëronte Samiu, po bëjnë çmos që t’ia arrijnë këtij qëllimi duke vepruar ,,në nj’anë nga Athina me shkolla, me mësonjës, me libra, me shëronjës dhe me shumë gjëra të tjera dhe me të holla të tepëra dhe me nj’anë tjetër nga Konstantinopoja me anët të patrikësisë, të dhespotëve, të priftërinjve të kishës, duke përdorur aforismonë e të dëbuarët nga kisha…”.

Prandaj mjeti më i mirë, mëson Samiu, për t’u bërë ballë orvatjeve asimiluese dhe likuidatore të këtyre armiqve dhe për të afirmuar kombësinë shqiptare është përhapja e gjuhës së shkruar shqipe.

Pse kishte mbetur gjuha shqipe e pashkruar dhe e palëvruar? Pse nuk ishte bërë ajo një gjuhë diturie dhe shkence? Mos vallë e kishte fajin për këtë vetë gjuha?

Pyetjes së fundit Samiu i përgjigjet në mënyrë negative. Këtu nuk është faji i vetë gjuhës, por në shqip e pashkruarë, -thekson Samiu, -s’ka mbeturë se është gjuhë e ligë e e metë, po vetëm se s’jemi kujdesur ne ta shkruajmë. S’na ka faj gjuha, faji është i yni”.

Pohimi i Samiut se ,, i gjithë faji është i yni” ishte deri diku i thjeshtësuar, por politikisht i drejtë dhe shumë me vend.Ishte i thjeshtësuar, sepse faji nuk ishte i shqiptarëve, por kryesisht i një kompleksi të tërë rrethanash të pafavorshme, nëpër të cilat ishte zhvilluar historia jonë.

Politikisht ishte i drejtë dhe shumë me vend, sepse nuk ishte koha e arsyetimeve akademike apo ajo e ankimeve ndaj padrejtësive të historisë, por ajo e veprimit imediat në mbrojtje dhe përhapje të gjuhës, iniciator dhe autor i të cilit mund të ishte vetëm populli shqiptar dhe përfaqësuesit e tij më të mirë.

Pohimi i Samiut se për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe gjithçka varet nga ne, mbështetej gjithashtu në përvojën 20-vjeçare të punës dhe të luftës së patriotëve shqiptarë në këtë fushë. Sukseset e kësaj pune ishin të mëdha, vlera e kësaj përvoje dukej në shumë drejtime.

Ajo provonte, së pari, se gjuha shqipe mund të shkruhet fare mirë; së dyti, se ajo mund të mësohet dhe të përvetësohet më lehtë dhe më shpejt se shumë gjuhë të tjera ; së treti (kjo e gëzonte mbi të gjitha Samiun), me gjuhën shqipe mund të shprehen ndjenjat më të holla dhe konceptet më abstrakte, ose e thënë kjo më thjesht, me të mund të mësohen, të gjitha dituritë. ,,Shqipja, -shkruante Samiu, -sot nuk është një gjuhë e pashkruarë si qe njëzet vjet më parë; sot ajo është një gjuhë që shkruhet e kërkohet, edhe nga më të bukurat. Ndonjë gjuhë s’këndohet aqë lehtë e aqë mirë sa shqipja”.

Në formimin e tij ideofilozofik Samiu ishte bir i shekullit të dritave. Në planin e përgjithshëm social ai i përmbahej parimitse shpëtimi i shoqërisë, përparimi i njerëzimit qëndron në përhapjen e diturisë dhe në përsosjen e diturisë dhe në përsosjen morale të njerëzve.

Ky është koncepsioni i përgjithshëm sociologjik që qëndron në themel të të gjithë punës së Samiut për krijimin e Enciklopedisë së tij të famshme, për hartimin e serisë së broshurave për popullarizimin e njohurive shkencore, për formulimin dhe propagandimin e atyre mijëra aforizmave dhe fjalëve të urta, që janë një margaritar i mendjes së tij të ndritur dhe i botëkuptmit të tij përparimtar.

Është gjithnjë ky koncepsion i përgjithshëm sociologjik si dhe kërkesa e emanipimit kulturor dhe politik që buronte prej tij që e nxirrte Samiun në mënyrë të natyrshme në problemin e gjuhës shqipe dhe të shkrimit të saj.

Gjuha është mjeti i parë dhe i pazëvendësueshëm i zhvillimit mendor dhe shpirtëror të një populli. As që mund të bëhet fjalë për përhapjen e diturive në një popull dhe për zhvillimin e tij shpirtëror, kur nuk i lejohet të përdorë gjuhën e tij amëtare, kur atij i mbyllen dhe ato pak shkolla fillore që ka.

Samiu plot zjarr i bën thirrje popullit shqiptar që të shkundë ,,gjumin e mefshehtësisë dhe të paditurisë”, se ndryshe ,, jemi të humburë”. Kuptohet vetvetiu se ai, po më atë zjarr, do të bëjë thirrje dhe do të kërkojë krijimin e mjetit të këtij zhvillimi-gjuhës së shkruar shqip.

Përpjekjet e Samiut për krijimin e gjuhës së shkruar shqipe kanë pra në themelin e tyre dy stimuj të fuqishëm, ë ishin që të dy jetikë për popullin shqiptar, atë të afirmimit të ndërgjegjës kombëtare dhe atë të zhvillimit të tij kulturor.
 
Nevoja e farkëtimit të një ndërgjegjeje kombëtare dhe e përhapjes së diturive në popullin shqiptar që kishin që të dyja një vegël të vetme, gjuhën , kanë qenë të dy arsyet kryesore që e kanë bërë Samiun aq të ndjeshëm ndaj gjuhës dhe problemeve të saj.

Ato e kanë shtyrë të merret në themel me problemet e gjuhës dhe të tregojë atje, më tepër se kudo gjetiu të gjithë talentin e tij. Përveç kontributit të tij në përpunimin e gjuhës së shkruar shqipe, Samiu, me studimet e tij dhe me fjalorët e tij, ka hyrë në historinë e shkencës si një teoricien i gjuhës përgjithësisht dhe si krijues i gjuhës së sotme letrare turke, veçanërisht .

Të mos kishte qenë Samiu një patriot kaq i flaktë i vendit të tij, vështirë se do të ishte bërë një shkencëtar aq i shquar i gjuhës dhe i problemeve lidhur me të.

(Shkëputur nga autori Xija Xholi, Sami Frashëri – Monografi)