Rusët të cilëve u është ndaluar të udhëtojnë jashtë vendit do të duhet të dorëzojnë pasaportat e tyre tek autoritetet brenda pesë ditëve pasi të njoftohen, sipas një dekreti qeveritar që hyn në fuqi të hënën.

Sipas ligjit rus, autoritetet mund të vendosin një ndalim udhëtimi për rekrutët, punonjësit e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), të dënuarit ose njerëzit që kanë akses në sekretet shtetërore ose “informacione të rëndësisë së veçantë”, ndër të tjera.

Pasaporta e kthyer do të ruhet nga autoritetet që e kanë lëshuar, si ministria e brendshme ose autoritetet e ministrisë së jashtme.

Pas heqjes së ndalimit të udhëtimit, pasaporta mund të kthehet me plotësimin e një aplikimi, sipas dekretit të qeverisë.

Ata, e drejta e të cilëve për të udhëtuar u kufizua përkohësisht në bazë të rekrutimit për shërbimin ushtarak ose civil alternativ, do të duhet të sigurojnë gjithashtu një letërnjoftim ushtarak me një dëshmi se kanë kryer shërbimin, thuhet në rezolutë.

Në mars, Financial Times raportoi, duke cituar burime të paidentifikuara pranë çështjes, se shërbimet ruse të sigurisë po konfiskonin pasaportat e zyrtarëve të lartë dhe drejtuesve të kompanive shtetërore për të parandaluar udhëtimet jashtë shtetit.