Në Kosovë, Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur me 1.5 milionë euro kompaninë MTS d.o.o., një prej operatorëve në fushën e telekomunikacionit, në pronësi të “Telecom Serbia”. Telekom-Serbia është një kompani shtetërore që akuzohet se ka kontroll të tregut mediatik serb, me një rol madhor në raportimin e njëanshëm serbomadh e antishqiptar, shkruan MekuliPress.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës në Prishtinë, kompania, ndryshe nga sa parashikon ligji, nuk ka njoftuar për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International.

Sipas vendimit, paratë e gjobës duhet të derdhen në llogarinë bankare të buxhetit të Kosovës.

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur dy procese të ndryshme ndaj MTS-së: njëri për blerjen e katër operatorëve të tjerë të vegjël që ofrojnë shërbime të integruara të internetit e televizionit kabllor dhe tjetri për blerjen e operatorit “Net Plus” të Graçanicës me mbi 30 për qind të tregut në këtë komunë. Të dyja këto vendime, kompania i ka marrë pa vënë në dijeni Autoritetin.

MTS d.o.o. – kompania simotër e operatorit shtetëror të telekomunikacionit të Serbisë, “Telekom Serbia”,  është themeluar më 2015 në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, që Kosova dhe Serbia arritën në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve. Në korrik të këtij viti, qeveria e Kosovës i hoqi asaj licencën, një vendim për të cilin Bashkimi Evropian tha se po e ndiqte me vëmendje.

Rasti i ngjan atij të Klan Kosovës, pasi edhe për MTS D.o.o, vendimi u mor pasi një anëtar i stafit drejtues figuron me pasaportë të lëshuar nga Republika e Serbisë. MTS d.o.o. është regjistruar në Mitrovicë të Veriut si operues në sistemin serb, përkatësisht në adresë “Mitrovica e Kosovës, Republika e Serbisë”.